Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka bërë të ditur se në një takim të sotëm është diskutuar për ecurinë e Agjendës së Reformave, prioritetet dhe dinamikën e zbatimit të masave të parapara.
“Progresi drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma që zbatohen dhe rezultate që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme.
Në takimin e sotëm kushtuar Agjendës së Reformave, shqyrtuam aktivitetet në vijim, prioritetet dhe dinamikën e zbatimit të masave të parashikuara. Përgjegjësia jonë është që çdo institucion të përmbushë detyrimet e veta në kohë, me objektiva të qarta dhe koordinim të vazhdueshëm.
Si Ministri për Çështje Evropiane, mbetemi të angazhuar që ky proces të ecë përpara me rezultate të matshme: institucione më efikase, sundim të ligjit dhe kushte më të mira për zhvillimin ekonomik.
Përmbushja e Agjendës së Reformave është një investim në besimin e qytetarëve dhe në të ardhmen tonë evropiane”, ka shkruar Bekim Sali.
