LSDM kërkon seancë urgjente parlamentare për rastet e femicidit dhe dhunës në familje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – LSDM ka dorëzuar iniciativë për mbajtjen e një seance urgjente parlamentare për mbrojtjen e grave dhe kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet, deklaroi deputetja Jovana Trençevska.

Sipas saj, në Maqedoninë e Veriut gratë nuk vuajnë më vetëm nga dora e dhunuesve, por edhe nga heshtja institucionale dhe mosndëshkueshmëria.

“Jemi dëshmitarë të shumë rasteve të dhunës ndaj grave dhe vrasjeve, pas të cilave kanë ekzistuar kallëzime të mëparshme, kërkesa për ndihmë dhe dështime institucionale. 17-vjeçarja Biljana nga Bogdanci u vra pavarësisht ndalesës aktive për afrim. Rosica nga Velesi, Ramajana nga Shuto Orizari, Ivana dhe vajza e saj nga Shkupi nuk e pritën ndihmën dhe nuk morën mbrojtje, pavarësisht denoncimeve të shumta. Dhunuesi që e rrahu deri në humbjen e vetëdijes Sarën në Ohër fillimisht u lejua të mbrohej në liri. Këto nuk janë incidente të izoluara, por dëshmi se sistemi nuk i mbron viktimat. Edhe rastet për të cilat pretendohet se MPB-ja ka vepruar nuk çojnë në përgjegjësi në nivelet e larta drejtuese. Faji është bartur vetëm te zyrtarët e zakonshëm policorë”, tha Trençevska.

Ajo rikujtoi se gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar 13 femicide, gjashtë në vitin 2025 dhe shtatë në vitin 2026.

“Në vitin 2025, në MPB janë evidentuar rekord 4.745 kallëzime nga gra dhe janë ngritur mbi 1.000 kallëzime penale, ndërsa qendrat për punë sociale kanë regjistruar 1.754 viktima të reja të dhunës në familje. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, numri i kallëzimeve është rritur për mbi 70 për qind, ndërsa janë paraqitur 1.450 kallëzime penale, që paraqet rritje prej 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, Ministria e Politikës Sociale ende nuk i ka publikuar të dhënat gjashtëmujore për vitin 2026”, deklaroi ajo.

Trençevska shtoi se pranë Prokurorisë Publike kompetente janë dorëzuar pothuajse 2.500 kallëzime penale gjatë këtyre dy viteve. Megjithatë, sipas saj, pyetja kyçe që ende mbetet pa përgjigje është se për sa prej tyre është ngritur aktakuzë dhe ka përfundim gjyqësor.

“Numri i madh i kallëzimeve nuk do të thotë asgjë nëse drejtësia mbetet në sirtarë dhe dhunuesit mbeten të pandëshkuar. Detyra jonë si deputetë dhe obligim moral është të qëndrojmë në mbrojtje të viktimave të dhunës, familjeve të tyre dhe sigurisë së çdo qytetari në shtet. Prandaj, si grup parlamentar i SDSM-së dhe koalicionit, në përputhje me dispozitat e Rregullores, sot dorëzojmë iniciativë për mbajtjen e një seance urgjente të Kuvendit me praninë e ministrave të Punëve të Brendshme, Politikës Sociale dhe Drejtësisë, si dhe të Prokurorit Publik të Shtetit”, tha ajo.

Ajo shtoi se SDSM kërkon një seancë urgjente të Kuvendit, ku pa vonesa dhe pa kalkulime politike do të diskutohet për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, do të kërkohet përgjegjësi nga secili që ka bërë lëshime në veprim dhe do të propozohen masa konkrete për parandalim dhe mbrojtje.

“Qytetarëve u nevojitet një sistem funksional që mbron jetët, një sistem që ofron siguri dhe ne si deputetë duhet t’ua sigurojmë këtë. Prandaj i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend që të mbështesin këtë iniciativë, ta nënshkruajnë dhe të thirret një seancë urgjente”, tha Trençevska.

artikuj të ndërlidhura