Luftë deklaratash mes BDI-së dhe VLEN-it, shkak raportet me Shqipërinë

Nga B.M
705 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 prill, Zhurnal.mk – Është ashpërsuar përplasja politike mes BDI-së dhe VLEN-it, pasi opozita shqiptare BDI, akuzoi koalicionin qeveritar VLEN se po vepron në linjë me VMRO-DPMNE-në kundër Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve, ndërsa nga VLEN erdhi kundërpërgjigje e menjëhershme duke akuzuar BDI-në për mbrojtje të fyerjeve ndaj shqiptarëve.

Në reagimin e saj, BDI tha se prej javësh kryeministri Hristijan Mickoski po zhvillon sulme politike ndaj Shqipërisë, për shkak të qëndrimeve të Tiranës për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe avancimin e Shqipërisë në procesin eurointegrues.

Sipas BDI-së, në vend që të mbrojë dinjitetin e shqiptarëve, VLEN është rreshtuar në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE-në. Nga kjo parti vlerësuan si të paprecedentë që përfaqësues shqiptarë në qeveri, siç thuhet në reagim, sulmojnë Shqipërinë me gjuhë më të ashpër se partnerët e tyre maqedonas.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që përdoren si vegla kundër Tiranës, por për përfaqësues që mbrojnë interesin kombëtar dhe qytetar”, theksuan nga BDI, duke shtuar se kjo periudhë do të mbahet mend si kohë kur, sipas tyre, disa u votuan në emër të shqiptarëve, por vepruan kundër tyre.

Ndaj këtyre akuzave reagoi VLEN, duke deklaruar se “BDI-së i ka rënë maska” dhe se kjo parti po del në mbrojtje të fyerjeve ndaj shqiptarëve.

“BDI-së i ra maska krejt. Në vend që ta dënojë gjuhën përçmuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ajo doli ta mbrojë atë. Pra, për BDI-në fjala “idiotë” nuk është problem kur përdoret kundër shqiptarëve që nuk i nënshtrohen logjikës së saj të mbrapshtë politike.

Ata që nuk e kanë pasur problem të fyejnë nënat shqiptare, nënat tetovare, shkupjanët, kumanovarët e struganët dhe shqiptarët në përgjithësi që për 20 vite i mbajtën në pushtet, sot natyrisht nuk e shohin si problem as fjalën “idiotë”. Sepse BDI është mësuar me fjalor edhe më të rëndë ndaj shqiptarëve.

Në të vërtetë, BDI nuk po mbron Shqipërinë. BDI po mbron përçmimin dhe fyerjen ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ata që për 20 vjet e trajtuan shqiptarin si votë, si numër, si militant dhe si pronë partie, sot nuk kanë problem kur dikush e quan “idiot”. Sepse për ta, shqiptari ka vlerë vetëm kur hesht, bindet dhe voton për ta.

VLEN nuk është kundër Shqipërisë. VLEN është kundër secilit që fyen shqiptarët, qoftë në Shkup, Tiranë apo kudo tjetër. Shqipëria nuk është pronë private e BDI-së dhe as perde ku mund të fshihen sa herë kapen në krim, korrupsion e hipokrizi.

Populli i njeh mirë çfarë “patriotësh” janë. Mjafton të kujtojmë se po këta, me ngulm dhe prapa shpinës së shqiptarëve, e shtynin Tiranën zyrtare drejt Ballkanit të Hapur. Dje shisnin interesin shqiptar për pazare rajonale, sot shesin moral për Shqipërinë. Kjo është hipokrizi kombëtare me vulë të BDI-së”., thuhet në reagimin e VLEN-it.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër