Luis Enrique po e lë fituesin e Topit të Artë në stol, por arsyeja e këtij vendimi është e pabesueshme

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Fituesi aktual i Topit të Artë, Ousmane Dembele, ka luajtur vetëm 237 minuta nga 630 të mundshme në shtatë xhirot e para të Ligue 1, por Paris Saint-Germaini po vazhdon të fitojë edhe pa e pasur francezin rregullisht në fushë.

Sipas të dhënave të platformës së statistikave FootMob, sulmuesi francez ka luajtur pak më shumë se një të tretën e minutave të mundshme në kampionatin francez këtë sezon. Ai mungoi plotësisht në dy ndeshje, kundër Lille dhe Le Mans, ndërsa në pesë takimet e tjera nuk e përfundoi asnjëherë të gjithë ndeshjen.

Dembele luajti vetëm 21 minuta kundër Monacos, një pjesë loje ndaj Rennes, 66 minuta kundër Brestit dhe 79 minuta në përballjen me Marseille.

Menaxhimi i minutave të tij nga trajneri Luis Enrique u dëshmua më së miri të shtunën, në ndeshjen ndaj Strasburgut. PSG-ja ishte në disavantazh kur francezi u inkuadrua në fushë rreth 25 minuta para fundit, por ai arriti të shënonte një gol dhe të regjistronte një asistim, duke ndihmuar skuadrën ta përmbyste rezultatin dhe të fitonte 3-1.

“Nëse luan 25 minuta, jep një asistim dhe shënon një gol, nuk ke nevojë të luash më shumë. Kaq mjafton”, deklaroi Luis Enrique pas ndeshjes, sipas mediave franceze.

Trajneri spanjoll shpjegoi se duhet të menaxhojë me kujdes ngarkesën fizike të secilit futbollist, pasi as Dembele dhe as pjesa tjetër e skuadrës nuk janë makina.

Situata është ndryshe në Ligën e Kampionëve dhe te kombëtarja franceze, ku sulmuesi aktivizohet më shumë. Në përballjen me Manchester Cityn, ai qëndroi në fushë për 76 minuta, duke kontribuar sërish me një gol dhe një asistim.

Deri më tani, kjo strategji po i jep rezultatet e dëshiruara PSG-së, e cila synon ta ruajë freskinë fizike të yllit të saj për ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Një tjetër sfidë e madhe e pret skuadrën franceze të martën, kur përballet me Barcelonën në Ligën e Kampionëve.

Kampioni francez duket se ka një avantazh që shumë prej rivalëve të tij evropianë nuk e gëzojnë në të njëjtën masë: mundësinë për t’i pushuar yjet kryesorë në disa ndeshje të kampionatit vendas.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër