“Makam-Trans”: Së bashku me Ministrinë e Transportit, do të zgjidhim problemet e transportuesve

nga D. V.

Shkup, 17 shkurt – Nga Asociacioni “Makam-trans” thonë se në mënyrë aktive marrin pjesë në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje për problemet me të cilat përballen transportuesit gjatë qëndrimit të tyre në zonën Shengen në periudhën kalimtare deri në zbatimin e plotë të strategjisë së re për liberalizimin e vizave të Bashkimit Evropian. Ata theksojnë se tashmë ka pasur përgjigje pozitive nga disa nga institucionet dhe odat pas hapave që kanë ndërmarrë për të lobuar më shumë për të gjetur një zgjidhje dhe apelojnë për një angazhim më të madh të përbashkët nga të gjithë në këtë drejtim.

“Ka reagime nga Oda Ekonomike, ku ka mbështetje, nga Oda Amerikane Ekonomike, ku, pas komunikimit fillestar, dërguam edhe informacione shtesë në lidhje me propozimet tona për zgjidhjen. Kemi mbështetje të vazhdueshme nga Ministria e Transportit, presim që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të caktojë një takim me ambasadorët. Ka edhe përgjigje nga disa nga ambasadat që kontaktuam për të treguar se çfarë vizash ekzistojnë për shoferët profesionistë për të hyrë në territorin e zonës Shengen”, tha sot për MIA-n Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e “Makam-trans”.

Nga Asociacioni theksojnë se në mënyrë aktive marrin pjesë në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje dhe se qëllimi është të sigurohet kryerja e pandërprerë e aktivitetit të transportit rrugor, me respekt të plotë të standardeve ligjore ndërkombëtare dhe evropiane dhe pa diskriminim ndaj shoferëve profesionistë nga vendi ynë.

Pas takimit nga java e kaluar (11 shkurt) e grupit të punës të përfaqësuesve nga gjashtë shtete nga Ballkani Peërndimor me ata të zonës së Shengenit, një takim i ri sipas njoftimeve duhet të mbahet më 23 shkurt.

Në takimin e grupit të punës më 11 shkurt, përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor iu kërkuan tregues teknikë, siç janë numri i shoferëve, transportuesve… dhe pas konsultimeve brenda zonës Shengen, do të mbahet një takim i ri për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për periudhën kalimtare deri në zbatimin e plotë të strategjisë së re të liberalizimit të vizave.

“Në strategjinë plotësuese për liberalizimin e vizave të BE-së për herë të parë pranohet se një shofer profesionist është personi që kryen veprimtari dhe duhet të trajtohet në mënyrë adekuate, përkatësisht të ketë mundësi për qëndrim më të gjatë prej 90/180 ditësh gjithashtu si ekuipazhet në llojet tjera të transportit”, theksojnë nga “Makam-trans”.

Si pjesë e hapave konkret për lobim më të madh, “Makam-trans” i dërgoi një letër zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme duke kërkuar mbështetje institucionale duke organizuar një takim me të gjithë ambasadorët e shteteve anëtare të zonës Shengen që kanë ambasada në vendin tonë, me ftesë për ambasadorin e BE-së, Mihalis Rokas, dhe kryetarin e Odës për Investime të Huaja.

Gjithashtu, ambasadave të shteteve anëtare të zonës Shengen në vendin tonë u janë dërguar kërkesa për informacion mbi paraqitjen e një kërkese për vizë të veçantë për shoferët profesionistë për një qëndrim më të gjatë në vendin e tyre, pra me mundësinë e vlefshmërisë për të gjitha vendet e Shengenit. Përveç odave ekonomike, letra u janë dërguar edhe Organizatës së Punëdhënësve, përfaqësuesit të Sekretariatit Federal nga Belgjika për sektorin e transportit rrugor dhe logjistikës dhe transportuesve për ofrimin e një mbështetjeje më të gjerë përmes bashkëpunëtorëve të tyre nga vendet e zonës Shengen. Gjithashtu, edhe delegacionit të Bashkimit Evropian në vend me një kërkesë për të krijuar kushte për një zgjidhje kalimtare deri në zbatimin e plotë të strategjisë së re në përputhje me Marrëveshjen e Asociimit dhe Stabilizimit të nënshkruar me BE-në.

“Makam-trans” tregon se qëllimi është të sigurohen kushte gjatë periudhës kalimtare për transportin e pandërprerë të mallrave dhe pasagjerëve në territorin e BE-së, pa kufizime të padrejta dhe procedura diskriminuese në përputhje me Marrëveshjen e Asociimit dhe Stabilizimit të nënshkruar me BE-në në vitin 2001 dhe të gjitha marrëveshjet dypalëshe në fushën e transportit rrugor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, tha dje se sektori i biznesit dhe Odat do të vazhdojnë betejën për kompanitë e transportit për një zgjidhje të përhershme për qëndrimin e transportuesve në zonën Shengen.

Azeski theksoi se është e pakuptueshme që një vend që përpiqet vullnetarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përballet me sanksione dhe kufizime. “Nëse dikush kufizon lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, atëherë po kryen krimin më të madh që mund të ekzistojë, të të mbyllë brenda vetes, ku nuk mund të përparosh dhe të shohësh, të krahasohesh me të tjerët”, tha Azeski, duke theksuar se të gjitha portat duhet të hapen dhe se radhët e kamionëve në pikat kufitare janë vetëm në Ballkan, dhe se ato janë tre deri në katër kilometra të gjata.

Ministria e Transportit njoftoi dje se, në koordinim me Komisionin Evropian, po punohet për një zgjidhje të përhershme në lidhje me qëndrimin e transportuesve në zonën Shengen dhe se ministritë përkatëse kanë qenë në komunikim intensiv me KE-në në periudhën e kaluar me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për problemin.

Ata treguan se janë në komunikim të vazhdueshëm si me transportuesit ashtu edhe me Komisionin Evropian për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të strategjisë së re të vizave të promovuar nga Bashkimi Evropian, e cila hap mundësinë që shoferët të trajtohen si profesionistë, si dhe mundësi për lloje të tjera vizash.

Transportuesit nga rajoni organizuan bllokada në pikat kufitare nga 26 deri më 29 janar, duke kërkuar një zgjidhje për problemin e regjistrimit të qëndrimit në zonën Shengen në përputhje me rregullin 90/180 ditë për shoferët profesionistë. Bllokadat u hoqën pas vendimit të Komisionit Evropian për një strategji të re për vizat që do të përfshinte shoferët profesionistë. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More