Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Ndryshimet në Maqedoni nisën me largimin e Zaevit, vazhduan me Kovaçevskin dhe do të përfundojnë me largimin e Filipçes, deklaroi Valentin Manasievski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
“Te Filipçe dhe LSDM-ja funksionon efekti i së vërtetës iluzore. Ata janë thellësisht të bindur se nëse një gënjeshtër e përsërisin 1000 herë, ajo disi do të bëhet e vërtetë. I tillë është edhe rasti me të vërtetat e tyre iluzore për Vuçiqin dhe për botën serbe. Te ata, thënë thjesht, funksionon Frojdi. Deri para disa vitesh, kur në pushtet ishin Zaevi dhe Filipçe, ata e lartësonin Vuçiqin dhe i përuleshin në kufi kur ai u dhuronte vaksina, sepse këta të dy dëshironin t’i vidhnin ato. Deri vetëm para pak vitesh, Zaevi dhe Filipçe e shëtisnin Vuçiqin nëpër kantinat maqedonase të verës, i dhuronin fanella maqedonase dhe i kërkonin falje nëse në Maqedoni dikush thoshte ndonjë fjalë të keqe për të. Ndërkohë, persona të afërt me të, si Aleksandar Obradoviq dhe Zoran Bashanoviq, njëri bashkëpunëtor i afërt, ndërsa tjetri kumbar i Vuçiqit, menjëherë pas ardhjes së Zoran Zaevit në pushtet në Maqedoni, u sistemuan si këshilltarë në qeverinë e tij”, tha Manasievski.
Dhe në vend që të festojnë fitoren e një partie tjetër në një shtet tjetër, shtoi ai, le të rregullojnë oborrin e tyre.
“Nëse janë të gatshëm për zgjedhje, le t’i kërkojnë ato. E jo të ikin prej tyre si djalli nga temjani. Ndryshimet në Evropë filluan para katër vitesh pikërisht nga Maqedonia. Me largimin e Zaevit dhe Filipçes nga pushteti, e më pas edhe me largimin e Dimitar Kovaçevskit, në Maqedoni më në fund erdhën ndryshimet. Qytetarët më në fund fituan shpresë, respekt dhe besim për një të nesërme më të mirë.
Prandaj, pyetjes që e shtron Filipçe, e ajo është: kush është i radhës? Ne kemi një përgjigje shumë të thjeshtë. Filipçe, ti je i radhës”, tha Manasievski.
