Mandati i Stoilkoviqit drejt fundit, Ministria pritet t’i kalojë VLEN-it

Nga Xh M
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 qershor Zhurnal.mk – Në prag të rikonstruktimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq pritet të largohet nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, duke i dhënë fund mandatit të tij në këtë dikaster.

Sipas informacioneve të publikuara nga Agjencia e Lajmeve INA, ministria që ai drejtoi pritet t’i kalojë një kuadri të koalicionit VLEN në kuadër të ndryshimeve qeveritare.

Pak para largimit, Stoilkoviq publikoi një raport mbi punën e tij, ku vlerësoi se gjatë mandatit kishte ulur shpenzimet, kishte racionalizuar funksionimin e ministrisë dhe i kishte dhënë fund praktikës së, siç e quajti ai, “pagave pa punë”.

Megjithatë, mandati i tij u shoqërua me kritika të vazhdueshme nga partitë politike shqiptare, të cilat e akuzuan për largimin e punonjësve shqiptarë nga ministria, trajtim diskriminues dhe shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Stoilkoviq u kritikua edhe për qëndrimet e tij publike, të cilat shpesh u cilësuan si të afërta me politikat zyrtare të Serbisë, si dhe për deklaratat e tij lidhur me çështje rajonale, të cilat shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik dhe në skenën politike të vendit.

Me rikonstruktimin e paralajmëruar të Qeverisë, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive pritet të drejtohet nga një përfaqësues i koalicionit VLEN, duke mbyllur kështu mandatin e një prej ministrave më të kontestuar në raport me partitë dhe opinionin shqiptar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër