Maqedonia e Veriut siguron 2 milionë € për ndërtim të rrugës Tetovë-Prizren

Nga D. V.
215 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 prill, Zhurnal.mk – Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka siguruar 2 milionë euro për hartimin e projektit për rrugën që do të lidhë Tetovën dhe Prizrenin. Ky aks rrugor, ndër vite ka qenë zotim qeveritar, ndërkohë që dikasteret e transportit të Shkupit dhe Prishtinës zyrtare, që në vitin 2024 nënshkruan një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili parashihet të ketë një gjatësi prej 6.4 kilometrash.

Rruga Tetovë–Prizren po hyn në një fazë të re realizimi. Për këtë vit, Ministria e Transportit ka siguruar 2 milionë euro nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” për hartimin e projektit kryesor, duke nënvizuar se ky dokumentacion është parakusht për të përcaktuar koston e saktë dhe afatet e punimeve për këtë aks rrugor strategjik që lidh dy vendet përmes një tuneli të përbashkët.

“Për vitin 2026, nga buxheti i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore janë siguruar 2 milionë euro për projektimin kryesor dhe tani shumë shpejt duhet të hapet tenderi për projektim. Më vjen keq që duhet ta them këtë, por patjetër duhet ta kalojmë pjesën e projektit kryesor. Pa projekt, ne nuk mund të dimë saktë sa do të kushtojë, sa do të zgjasin punimet, si do të realizohet e gjithë kjo”, ka deklaruar Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut.

Komuna e Tetovës tashmë ka prezantuar trasenë e rrugës nga Tetova deri te vendi ku planifikohet të hapet tuneli, duke vënë në pah se punimet në terren kanë filluar.

“Do të jetë nga rruga Tetovë–Kodra e Diellit, kthesa mbi Shipkovicë deri në dalje të Shipkovicës. Pjesa tjetër e rrugës Tetovë–Prizren do të jetë traseja e rrugës ekzistuese, vetëm do të bëhet zgjerimi i saj”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Rruga Tetovë–Prizren është premtim ndër vite. Madje në janar të vitit 2024 mes dikastereve të transportit Maqedoni e Veriut–Kosovë është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili parashihet të ketë një gjatësi prej 6.4 kilometrash.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër