Maqedonia pret 75 milionë euro shtesë nga BE-ja dhe roaming me tarifa vendore

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 25 nëntor Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pret që vendi të përfitojë edhe 75 milionë euro shtesë në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët së shpejti pritet të përfitojnë edhe nga modeli evropian i roamingut me tarifa vendore.

Pas takimit me liderët evropianë në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Mickoski bëri të ditur se në bisedimet me homologët e rajonit, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, është diskutuar edhe për plotësimin e paketës financiare në kuadër të Agjendës së Reformave.

Sipas Mickoskit, Maqedonia e Veriut pret një rritje prej 10 për qind të shumës prej 750 milionë eurosh të paraparë tashmë, që nënkupton edhe 75 milionë euro shtesë.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte përfshirja e vendit në modelin evropian “Roam Like at Home”, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të përdorin shërbimet e telekomunikacionit në vendet e Bashkimit Evropian me tarifa të njëjta si në vendin e tyre.

Mickoski theksoi se në këtë drejtim pritet zbatimi i plotë i projektit, ndërsa shtoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë që ka përfunduar pjesën formale dhe teknike të procesit për përfshirjen në këtë model evropian.

Sa i përket procesit të integrimit evropian, kryeministri deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të reformave, por kërkoi që procesi të mos kushtëzohet më nga çështjet dypalëshe, por të vlerësohet në bazë të meritave dhe rezultateve të arritura.

Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë t’i mbrojë argumentet e saj dhe mbetet e gatshme për dialog.

Më herët gjatë ditës, me rastin e mbërritjes në samit, Mickoski sqaroi se 75 milionë eurot shtesë do të vihen në dispozicion të vendit, por për shfrytëzimin e tyre do të duhet të përmbushen edhe detyrime shtesë.

Në lidhje me çështjet dypalëshe dhe ndryshimet kushtetuese, kryeministri përsëriti se qëndrimi i Qeverisë mbetet i pandryshuar. Ai tha se vendi është i gatshëm për bisedime, por fillimisht duhet të arrihet marrëveshje për Planin e Veprimit për Pakicat, për të cilin, sipas tij, 26 shtete anëtare nuk kanë vërejtje, ndërsa vetëm një shtet është kundër.

artikuj të ndërlidhura