Von der Leyen: 338 milionë euro shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 25 nëntor Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në samitin BE–Ballkani Perëndimor, ka paralajmëruar ndarjen e 338 milionë eurove shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim, në kuadër të Planit të Rritjes.

Von der Leyen theksoi se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Evropën, duke vlerësuar përparimin e vendeve të rajonit në procesin e integrimit evropian.

“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës”, deklaroi Von der Leyen.

Sipas saj, zbatimi i reformave në kuadër të Planit të Rritjes është përshpejtuar, ndërsa përqindja e hapave të përmbushur nga vendet e rajonit është rritur nga 38 në 63 për qind brenda një viti.

Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi edhe përfitimet konkrete të integrimit gradual, duke përmendur përfshirjen e katër partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Ajo bëri të ditur se kanë nisur negociatat me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për përfshirjen në sistemin evropian të roaming-ut pa tarifa shtesë.

Në fillim të vitit të ardhshëm, BE-ja pritet të nisë dialogun për integrimin gradual me secilin partner të Ballkanit Perëndimor, me synim zgjerimin e qasjes në tregun e përbashkët evropian.

Von der Leyen theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, rritjes së tregtisë, njohjes së kualifikimeve profesionale dhe lehtësimit të qarkullimit të mallrave përmes korridoreve të gjelbra.

artikuj të ndërlidhura