Shkup, 3 gusht, Zhurnal.mk – Më shumë se 17.000 persona e kanë lënë Maqedoninë në 24 orët e fundit përmes pikave kufitare “Bogorodica” dhe “Dojran” drejt Greqisë, ndërsa në të njëjtën periudhë në vend kanë hyrë rreth 16.000 udhëtarë, tregojnë të dhënat më të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve, gjatë ditës janë krijuar kolona të gjata në të dy pikat kufitare, ndërsa ngarkesa më e madhe është vërejtur te “Dojran”, ku kolona e automjeteve shtrihej përgjatë Star Dojranit.
Sipas informacioneve nga MPB, në pikën kufitare “Bogorodica”, nga dje deri sot në mesditë, në Maqedoni kanë hyrë 5.864 shtetas maqedonas, ndërsa kanë dalë 5.948. Në të njëjtën periudhë, në vend kanë hyrë 10.249 shtetas të huaj, ndërsa 11.648 e kanë lënë vendin.
Në pikën kufitare “Dojran” janë evidentuar 399 hyrje dhe 1.104 dalje të shtetasve maqedonas. Te shtetasit e huaj, në vend kanë hyrë 1.295 persona, ndërsa kanë dalë 1.174.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se janë angazhuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike me qëllim të sigurohet qarkullim më i shpejtë i udhëtarëve, duke zbatuar njëkohësisht kontrollet e detyrueshme kufitare.
