Ministria e Mjedisit ka njoftuar se prioritet gjatë këtij mandati do ta kenë hartimin dhe zbatimin e 6 projektligjeve të cilat do të ndikojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Njohës të fushës thonë se gjendja në mjedis vazhdon të jetë e rëndë nga deponitë ilegale të mbeturinave. Po ashtu, në mungesë të një fabrikoje për trajtimin e mbetjeve shtazore, kafshët e ngordhura e nënproduktet e tyre shpesh herë hidhen vend e pa vend, duke rrezikuar shëndetin publik.
Shishe të qelqit, mbetje ushqimore e gjësende të tjera janë ngado. Si rrjedhojë qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj erës së rëndë e rrezikut për sëmundje infektive. Gjendje pothuajse e njëjtë, ose edhe më e rënduar, paraqitet edhe nëpër qytete të tjera të vendit.
Egzona Shala, drejtoreshë Ekzekutive në organizatën mjedisore EcoZ tha se “sfida më e madhe e qytyetarëve nëse kanë me e renovu një shtëpi është ku me i vendos mbeturinat e vëllimshme”.
“Në mungesë të informatave dhe hapësirave, ata e gjejnë mënyrën më të lehtë. E mënyra më e lehtë nëse shkon pa ndëshku krijohet si shprehi e cila po e shohim që po na mbizotëro”, tha ajo.
