Me 64 vota “për”, 15 “kundër” kuvendi miratoi Propozim-ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë

Nga B.M
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 07 maj, Zhurnal.mk – Me 64 vota “për”, 15 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Kuvendi miratoi Propozim-ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili është pjesë e Agjendës Reformuese.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se me zgjidhjen e propozuar ligjore po vendosen risi thelbësore të orientuara drejt forcimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës në punën e Këshillit dhe të prokurorisë publike në tërësi.

“Reformohet procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Vendosen kritere të qarta dhe transparente. Garantohet profesionalizmi, përvoja dhe integriteti i tyre, sipas modelit të kritereve të parashikuara në Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor. Në këtë mënyrë garantohet zgjedhja e kandidatëve më cilësorë. Vendoset obligimi për arsyetim të plotë dhe të argumentuar të vendimeve për zgjedhje, avancim dhe përgjegjësi disiplinore të prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, përcjell Zhurnal.mk.

Nga Ministria e Drejtësisë shtojnë se po vendoset edhe zbatimi i qëndrueshëm i sistemit të meritës, përkatësisht merit-sistemit, gjatë zgjedhjes, avancimit dhe shkarkimit të prokurorëve publikë.

“Forcohet transparenca e Këshillit përmes obligimit për publikimin e vendimeve dhe raporteve, mbajtjes publike të seancave, transmetimeve të drejtpërdrejta dhe informimit të opinionit. Vendosim një sistem të qartë dykallësh në procedurat disiplinore. Këshilli vendos si organ i shkallës së dytë, ndërsa kundër vendimeve të tij lejohet mbrojtje gjyqësore. Me këtë sigurohet mbrojtje e plotë e të drejtave të prokurorëve publikë, që është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rekomandimeve të Komisionit Evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Me propozim-ligjin rregullohet në mënyrë të detajuar edhe procedura për shkarkimin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Këshillit, me afate dhe kritere të precizuara, si dhe forcohet roli i Këshillit në procedurën për zgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë.

Po ashtu, Këshilli i Prokurorëve Publikë mund të paraqesë iniciativë për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë në Kuvend.

“Ligji është pjesë e procesit më të gjerë reformues dhe është harmonizuar me standardet dhe rekomandimet evropiane, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër