Kumanovë, 3 mars – Vazhdon hetimi për vrasjet në Staro Nagoriçan. Po kryhet zhvarrimi i edhe një gruaje të moshuar, për të cilën Prokuroria ka dyshime se mund të jetë gjithashtu viktimë e 25-vjeçarit nga Dragomanca. Ashtu si në rastin e parë, edhe ajo më parë ishte varrosur si e ndjerë nga vdekje jo e dhunshme.
I dyshuari sot është dërguar në klinikë psikiatrike, ku do t’i bëhet vlerësim.
“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, i dyshuari T.B. sot është dërguar në ISHP Klinika Universitare për Psikiatri për ekspertizë psikiatrike. Pas përfundimit, ai do të kthehet në INP Burgu i Kumanovës për vuajtjen e masës së paraburgimit”, njoftojnë nga institucioni.
Për momentin hetimi kundër tij po zhvillohet për dy vrasje, por ekziston mundësia që të zgjerohet deri në një vit prapa. Ende nuk dihen motivet për vrasjen e grave.
Ministri i Punëve të Brendshme refuzoi të flasë për rastin, duke theksuar se procedura është në duart e Prokurorisë. I pyetur nëse do të ketë hetim eventual për mosveprim të zyrtarëve policorë, Toshkovski dha përgjigje pohuese.
Prokuroria vazhdon të hetojë nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo me ndihmën e dikujt tjetër, si dhe si kanë vepruar institucionet pas kallëzimeve.
Personi është i njohur për organet e rendit nga kallëzimet për vjedhje të rënda. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një pjesë e sendeve të vjedhura.
Autoritetet bëjnë thirrje për qetësi dhe durim nga publiku, duke premtuar zbardhjen e rastit.

