Shkup, 30 shtator Zhurnal.mk – Qytetarët që prej dekadash jetojnë në banesa në pronësi të shtetit do të kenë një mundësi të re për të zgjidhur statusin e tyre të banimit, nëse miratohet Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Banimin, me të cilin shteti propozon rregulla të reja për përdoruesit e vjetër të banesave shtetërore.
Një nga risitë është zgjatja e afatit për paraqitjen e kërkesave për blerjen e banesës ose transferimin e së drejtës së përdorimit. Sipas ndryshimeve të propozuara, afati i ri do të jetë deri më 31 dhjetor 2027.
Kjo vlen për personat që e përdorin banesën në bazë të një akti ose kontrate të lidhur para 16 majit 1998, si dhe për kategori të caktuara të anëtarëve të familjeve të bartësve të ndjerë të së drejtës së përdorimit.
Një ndryshim i madh që sjell ligji i ri është ndarja e përdoruesve në katër kategori, në bazë të të ardhurave.
Në kategorinë e parë janë personat që marrin ndihmë sociale ose ndihmë të përhershme në para. Këta persona nuk do të mund ta blejnë banesën, pasi propozimi u jep vetëm të drejtën për ta marrë me qira. Megjithatë, ata nuk do të paguajnë qira përderisa kanë statusin e përfituesit të ndihmës sociale.
Tri kategoritë e tjera përfshijnë persona me të ardhura të ulëta, familje me të ardhura deri në një pagë e gjysmë mesatare neto; persona me të ardhura mesatare, nga një pagë e gjysmë deri në dy paga e gjysmë mesatare neto; si dhe persona me të ardhura të larta, me më shumë se dy paga e gjysmë mesatare neto.
Për këto kategori, ligji do të parashikojë mundësinë e zgjedhjes mes qirasë dhe blerjes, por vetëm nëse plotësohen kushte të caktuara. Ndër to janë shtetësia e Maqedonisë së Veriut, vendbanimi i përhershëm në komunën ku ndodhet banesa, mosshfrytëzimi i një banese tjetër ose hapësire afariste në pronësi shtetërore dhe përdorimi i banesës që para 13 gushtit 2009.
Lartësia e qirasë do të varet nga të ardhurat. Për familjet me të ardhura të ulëta, qiraja do të ishte 25 ose 35 denarë për metër katror, për ato me të ardhura mesatare 62 ose 95 denarë, ndërsa për personat me të ardhura të larta 190 denarë për metër katror.
Kjo do të thotë se për një banesë prej 60 metrash katrorë, për kategorinë me të ardhura të larta qiraja do të arrinte në 11.400 denarë në muaj.
Për ata që do të fitojnë të drejtën për blerje, shteti propozon që pagesa të mund të shtrihet për një periudhë maksimale prej 30 vitesh, përkatësisht 360 këste mujore të barabarta, me normë fikse interesi prej 4 për qind në vit.
Përdoruesit që nuk do të paraqesin kërkesë për blerje ose qira të banesës ku tashmë jetojnë deri më 31 dhjetor 2027, do të kenë edhe një afat shtesë deri më 31 mars 2028. Nëse as deri atëherë nuk paraqesin kërkesë, parashikohet dëbim i detyruar.
Dëbimi i detyruar parashikohet edhe në rast se kërkesa e qiramarrësit refuzohet dhe ai brenda 30 ditësh nuk paraqet kërkesë të re për qira ose blerje.
Ndryshon numri i qytetarëve që përdorin banesa shtetërore
Shoqëria Aksionare për Ndërtimin dhe Menaxhimin e Hapësirës Banesore dhe Afariste nuk ka një numër zyrtar të qytetarëve që përdorin banesa shtetërore dhe ende nuk i kanë rregulluar të drejtat e tyre për blerje ose qira, si dhe të banesave të marra për këtë arsye, pasi bëhet fjalë për një kategori me status të ndryshueshëm.
Nga shoqëria sqarojnë se gjatë përcaktimit të statusit të këtyre banesave merren parasysh disa faktorë, përfshirë nëse bartësi i së drejtës së banimit, përkatësisht qiramarrësi, ka ndërruar jetë, nëse kontrata e qirasë përcakton një person tjetër në farefisni me bartësin e së drejtës, nëse është paraqitur kërkesë për blerje, nëse procedura është ende në zhvillim pranë Ministrisë së Transportit, si dhe rrethana të tjera të rëndësishme për secilin rast.
Për këtë arsye, numri i banesave dhe përdoruesve që në një moment të caktuar mund të konsiderohen si persona me status të parregulluar nuk është kategori fikse, por ndryshon në varësi të zhvillimit të procedurave dhe rregullimit të të drejtave të përdoruesve.
Paratë nga shitja do të përdoren vetëm për ndërtimin e banesave të reja
Mjetet e siguruara nga shitja e banesave shtetërore, sipas propozimit të ri për ndryshimin e Ligjit për Banimin, do të derdhen në një llogari të veçantë me destinim të përcaktuar. Paratë nuk do të mund të shpenzohen lirisht, por do të përdoren ekskluzivisht për ndërtimin e banesave të reja në pronësi shtetërore.
Sipas dispozitave aktuale ligjore, të ardhurat nga shitja e banesave shtetërore derdhen në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çmimi me të cilin mund të blihen banesat përcaktohet në përputhje me Rregulloren për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së banesës. Shoqëria aksionare vepron në përputhje me kriteret dhe dispozitat ligjore që rregullojnë blerjen e këtyre banesave.
Gjatë përcaktimit të çmimit, përveç borxhit bazë për banesën konkrete, merren parasysh edhe të gjitha rrethanat e tjera financiare dhe juridike që lidhen me përdorimin e saj. Në llogaritje përfshihen edhe detyrimet për qiranë, përfshirë të dhënat nëse qiratë janë paguar rregullisht, nëse ka detyrime të papaguara dhe nëse për arkëtimin e tyre janë zhvilluar procedura gjyqësore ose janë ndërmarrë masa përmes përmbaruesve.
Kështu, çmimi përfundimtar nuk përcaktohet vetëm në bazë të borxhit bazë, por është rezultat i një përllogaritjeje të përgjithshme ku merren parasysh të gjitha shpenzimet dhe detyrimet që lidhen me banesën konkrete dhe qiramarrësin e saj.
A do të jetë interesi fiks konkurrencë për bankat?
Shteti propozon që pagesa për blerjen e banesave shtetërore të bëhet për një periudhë maksimale prej 30 vitesh, me normë fikse interesi prej 4 për qind në vit. Ky kusht është dukshëm më i favorshëm se kushtet që bankat zakonisht ofrojnë për kreditë për blerjen e banesave private.
Sa i përket pyetjes nëse këto kushte mund të përbëjnë konkurrencë për kreditë bankare, nga Shoqëria Aksionare për Ndërtimin dhe Menaxhimin e Hapësirës Banesore dhe Afariste thonë se nuk janë kompetentë të vlerësojnë nëse këto kushte përbëjnë konkurrencë ndaj kredive bankare për blerjen e banesave private.
Sipas tyre, kushtet për blerjen e banesave shtetërore përcaktohen brenda kornizës së legjislacionit dhe politikave shtetërore.
Megjithatë, nga shoqëria presin që ndryshimet e propozuara të kontribuojnë në uljen e mëtejshme të numrit të përdoruesve që ende nuk e kanë rregulluar të drejtën e tyre për blerje ose qira.
Me ndryshimet, përdoruesve do t’u mundësohet të rregullojnë statusin e tyre dhe, nëse i plotësojnë kushtet ligjore, të realizojnë të drejtën për blerjen e banesës.
Qëllimi i Ministrisë së Transportit, si institucion kompetent, dhe i Shoqërisë Aksionare është që të përfundojë procesi i rregullimit të statusit të të gjithë përdoruesve të mbetur të banesave të dhëna në bazë të akteve ose kontratave të lidhura para majit të vitit 1998.
Numri i këtyre rasteve është ulur ndjeshëm me ndryshimet e mëparshme ligjore, ndërsa me ndryshimet e propozuara pritet të mundësohet zgjidhja edhe e rasteve të mbetura dhe përfundimisht rregullimi i statusit të tyre.
