Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, ka reaguar i prekur pas publikimit të audio-incizimit tronditës, në të cilin e ndjera Arlinda Zekaj dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga një zyrtar policor në Pejë.
Ngjarja, e cila ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, nuk ka lënë indiferent as artistin e njohur, i cili përmes një postimi në InstaStory ka shprehur dhimbjen dhe tronditjen e tij.
Limani ka shpërndarë një pjesë të audio-incizimit të publikuar nga Klan Kosova, ku viktima dëgjohet duke iu përgjëruar zyrtarit policor për ndihmë, ndërsa ky i fundit, sipas përmbajtjes së publikuar, i thotë se janë lodhur nga kërkesat e saj dhe se nuk kanë obligim të merren me të.
“Faruk, t’lutem, t’lutem, unë vritem, s’ka lidhje, po ju keni mu përgjigj”, janë fjalët e viktimës të cituara në videon që këngëtari ka shpërndarë.
Krahas videos, interpretuesi i shumë hiteve ka shkruar vetëm pak fjalë, por që pasqyrojnë tronditjen e tij nga ajo që kishte dëgjuar.
“Me tu thy zemra, me t’plas zemra”, ka shkruar Ylli, duke e shoqëruar reagimin me tri emoji të zemrave të thyera.
Foto: Yll Limani/InstaStory
Publikimi i audio-incizimit ka rikthyer në vëmendje shqetësimet lidhur me trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave, veçanërisht kur viktimat kërkojnë mbrojtje nga autoritetet përgjegjëse.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa publikimi i bisedës së saj me zyrtarin policor ka nxitur reagime dhe kërkesa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

