Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” në komunën e Kisella Vodës, nga 1 shtatori i këtij viti është vendosur mësimi në një ndërrim, pasi më herët, me një investim të përbashkët prej 19 milionë denarësh nga Qeveria dhe vetëqeverisja lokale, kapacitetet e shkollës u zgjeruan me gjashtë klasa të reja.
Sot shkollën e vizituan ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkoska Trajkoska.
“Mësimi në një ndërrim është një koncept për të cilin angazhohet Qeveria aktuale dhe, në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, po e zgjerojmë gradualisht zbatimin e tij. Efekti është shumëdimensional. Fëmijët janë më të përqendruar në mësime në orët e paradites, qëndrojnë më gjatë në shkollë duke pasur parasysh se kanë më pak orë mësimore në nivel vjetor krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, socializohen më shumë dhe njëkohësisht ulen edhe shpenzimet për funksionimin e objekteve shkollore”, tha Janevska.
Ministrja theksoi se Kisella Voda do të marrë mbështetje për zgjerimin e kapaciteteve edhe në objekte të tjera shkollore, me qëllim që mësimi në një ndërrim të zbatohet në të gjithë territorin e komunës.
“Ministria tashmë ka përgatitur projekte për zgjerimin e edhe tri shkollave të tjera me nga gjashtë klasa: SHFK qendrore ‘Krume Kepeski’, SHFK ‘Kuzman Shapkarev’ në Draçevë dhe SHFK ‘Rajko Zhinzifov’ në Pinti. Shumë shpejt do të shpallim procedurat për përzgjedhjen e kompanive ndërtimore dhe në fillim të vitit të ardhshëm pres që të nisin aktivitetet në terren”, informoi Janevska, duke shtuar se në vend, nga gjithsej 1.023 objekte shkollore, në 620 zhvillohet mësim në një ndërrim.
Kryetarja e komunës, Stamenkoska Trajkoska, tha se komuna i ka pajisur plotësisht hapësirat e reja në SHFK “Kiril Pejçinoviq” me karrige, banka, katedra, tabela, pajisje smart në të gjitha klasat dhe kompjuterë portativë për mësimdhënësit.
“Kujdesi për fëmijët dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve në të gjitha shkollat është fokusi ynë i përbashkët”, theksoi kryetarja e komunës, duke falënderuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për mbështetjen dhe partneritetin, me mesazhin se kur pushteti lokal dhe ai qendror punojnë me të njëjtin vizion, rezultatet janë të dukshme menjëherë dhe përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
