Menaxhimi i mbeturinave, 18 komuna kërkojnë zgjidhje të përbashkët

Nga Xh M
412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 prill Zhurnal.mk – Krijimi i një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave për rajonin e Pellagonisë dhe Jugperëndimor, duke përfshirë 18 komuna, ishin temë e diskutimit në Forumin Rajonal për menaxhimin e mbeturinave “Së bashku për një rajon pa mbeturina”. Këto komuna pritet të krijojnë një ndërmarrje të përbashkët publike, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e të gjithë sistemit të mbeturinave në nivel rajonal.

“Flasim për hapat të cilat duhet t’i ndërmarrin komunat në aspekt të formalizimit të bashkëpunimit ndërkomunal, miratimin e marrëveshjes mes 18 komunave të cilat duhet të formojnë ndërmarrje publike të përbashkët, që do të jetë bartëse e sistemit për menaxhimin me mbeturinat, sepse deponia regjionale, si dhe stacionet e transferimit, do të jenë të udhëhequra nga kjo ndërmarrje publike e përbashkët.”, – deklaroi Ana Karanfillovska Mazneva nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor.

“Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë të gjithë aktivitetin për formimin e deponisë, ajo që ne e bëjmë përmes këtij projekti si masë lehtësuese, sepse merren më shumë me përgatitje të planeve, trajnime, formim të qendrës regjionale, ne kemi për detyrë që t’i ndihmojmë komunat të cilat nuk janë në këto dy regjione, që të udhëzohen se si realizohet dhe zbatohet procesi.”, – theksoi kryetarja e BNjVL-së, Dushica Perishiq.

Në Komunën e Novacit do të jetë e vendosur njëra nga deponitë regjionale. Kryetari i kësaj komune, njëherësh edhe kryetar i Këshillit Ndërkomunal për Menaxhimin me Mbeturina, njoftoi se është nënshkruar marrëveshja mes 18 komunave dhe pret bashkëpunim ndërkomunal për realizim të aktiviteteve që sa më shpejt të realizohet sistemi regjional për menaxhimin e mbeturinave.

“Duke pasur parasysh se në komunën tonë ndodhet edhe kombinati më i madh për prodhimin e energjisë elektrike, TEC “Manastit”, në atë hapësirë në dhjetëra hektarë tokë e degraduar, e cila është ideale që të realizohet diçka e këtillë.”, – u shpreh kryetari i Komunës së Novacit, Stevçe Stefanovski.

“Na jep shpresë që Novaci tashmë është zgjedhur, dihet vendi ku do të jetë deponia regjionale, në ballë qëndron Ministria e Mjedisit, si dhe Ambasada, që tashmë ka ndarë mjetet për projektin dhe besojmë se do të jetë funksional.”, – theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Forumi po mbahet në kuadër të projektit “Menaxhim i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNjVL-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër