Meta arrin marrëveshje me një tjetër adoleshente, 18-vjeçarja tërhoqi akuzat për varësinë nga Instagram dhe Facebook

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

eta Platforms, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka arritur një tjetër marrëveshje jashtë gjykatës me një të re 18-vjeçare, e cila e kishte paditur për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor. Paditësja pretendonte se platformat ishin projektuar për të nxitur varësinë dhe se përdorimi i tyre i kishte shkaktuar probleme psikologjike dhe çrregullime të të ngrënit.

Kushtet e marrëveshjes me të renë, e identifikuar me inicialet KDB, nuk janë bërë publike. Ky është rasti i dytë brenda një jave që Meta zgjidh përmes marrëveshjes një padi të ngjashme, pas asaj me 16-vjeçaren SJ.

Si rrjedhojë, procesi gjyqësor që pritet të nisë në Los Angeles do të vijojë vetëm kundër Snap Inc., kompania mëmë e Snapchat.

Avokatja e 18-vjeçares, Emily Jeffcott, deklaroi se mbeten të angazhuar për rritjen e sigurisë së fëmijëve në rrjetet sociale dhe për të kërkuar përgjegjësi nga kompanitë e teknologjisë për ndikimin që platformat e tyre kanë te të rinjtë.

Sipas padisë, dy vajzat, SJ nga Illinois dhe KDB nga Misisipi, kanë nisur të përdorin YouTube që në moshën 3-vjeçare, ndërsa rreth moshës 9-vjeçare janë regjistruar edhe në platforma të tjera sociale. Ato pretendojnë se funksione si luajtja automatike e videove dhe lëvizja e pafundme në ekran kanë nxitur përdorim kompulsiv dhe varësi nga aplikacionet.

Kompanitë e përfshira i kanë mohuar akuzat, duke argumentuar se platformat nuk janë krijuar për të shkaktuar varësi te të rinjtë dhe se janë marrë masa për të mbrojtur përdoruesit e mitur.

Çështja është pjesë e një vale padish në SHBA kundër kompanive të mëdha të teknologjisë. Në një proces të zhvilluar në mars, një juri shpalli përgjegjëse Metën dhe YouTube për neglizhencë dhe caktoi një dëmshpërblim prej 6 milionë dollarësh për një grua të re.

Ndërkohë, TikTok dhe YouTube kishin arritur më herët marrëveshje me dy adoleshentet në këtë proces, ndërsa edhe një distrikt shkollor që kishte paditur kompanitë e mediave sociale vendosi të zgjidhte çështjen jashtë gjykatës.

Në gusht, Meta arriti një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh me pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret amerikane, për t’i dhënë fund padive që lidhen me dëmet e pretenduara ndaj të rinjve nga platformat e saj. Kompania u angazhua gjithashtu të ndryshonte disa funksione të Instagram dhe Facebook për përdoruesit adoleshentë.

Në një tjetër çështje, në fillim të këtij muaji, një gjykatës në New Mexico urdhëroi Metën të paguante një gjobë prej 25 miliardë dollarësh, lidhur me akuzat se kompania kishte mashtruar përdoruesit për mënyrën e trajtimit të gjuhës së urrejtjes dhe të dhënave personale në Facebook.

artikuj të ndërlidhura