Kompania “Meta” është urdhëruar të paguajë 25 miliardë dollarë në lidhje me skandalin e viteve të mëparshme, që lidhej me përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të “Facebook”-ut nga kompania “Cambridge Analytica”.
Vendimi u bë i ditur sdot nga një gjykatës në shtetin amerikan të Nju Meksikos.
Më herët, një juri gjykate kishte arritur në përfundimin se “Facebook”-u i kishte mashtruar përdoruesit lidhur me mënyrën se si mbronte të dhënat e tyre personale dhe lirinë e shprehjes në platformë.
Gjykatësi e llogariti fillimisht gjobën në gati 219,5 miliardë dollarë, por në të njëjtin vendim e uli atë në 25 miliardë dollarë.
Në reagimin e saj të parë, “Meta” u shpreh e bindur se do ta fitonte çështjen nëse do ta apelonte vendimin.
Pas vendimit të jurisë, disa javë më parë, kompania deklaroi se nuk ishte dakord me përfundimin e gjykatës dhe se do të vazhdonte të mbrohej ndaj akuzave.
Për çdo shkelje ishte parashikuar një gjobë deri në 5,000 dollarë. Juriа konstatoi miliona shkelje, të cilat, sipas llogaritjeve të gjykatësit, arritën në një shumë prej miliarda dollarësh.
Skandali dëmtoi besimin e publikut
Skandali “Cambridge Analytica” dëmtoi rëndë besimin e publikut te “Facebook”-u në vitin 2018.
Të dhënat personale të përdoruesve ishin mbledhur përmes një pyetësori që në pamje të parë dukej i padëmshëm.
Një studiues i të dhënave i përdori këto informacione për të krijuar profile të përdoruesve, të cilat më pas u ndanë me kompaninë e konsulencës politike “Cambridge Analytica”.
Edhe ekipi i Donald Trump, i cili në atë kohë ishte kandidat për president të SHBA-së, i përdori këto të dhëna përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.
Në total, nga kjo çështje u prekën rreth 87 milionë llogari përdoruesish.
Më pas, “Meta” pagoi rreth 6 miliardë dollarë për qeverinë amerikane, ndër masa të tjera, për të mbyllur hetimet që lidheshin me këtë çështje.
Pas skandalit, në vitin 2021, shteti i Nju Meksikos e çoi kompaninë në gjykatë me akuza që lidhen me lirinë e shprehjes në platformë.
Këto akuza u ngritën pas zbulimeve të bëra gjatë hetimeve më të gjera mbi mënyrën se si funksiononte “Facebook”-u.
Ndër të tjera, një person që kishte denoncuar praktikat e kompanisë nga brenda kishte deklaruar se disa llogari të personave të njohur ishin përjashtuar fshehurazi nga rregullat, që përcaktonin se çfarë përmbajtjesh lejoheshin të publikoheshin në platformë.
