Kryetari i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike veprimtarinë vjetore të këtij institucioni gjatë vitit 2024.
Në nisje të fjalës së tij, Metani u ndal te vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit pak ditë më parë, duke e konsideruar këtë ngjarje si tronditëse.
Metani falënderoi qasjen e Kuvendit të Shqipërisë për aktin solemn të minutës së heshtjes, duke u shprehur se “solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla”.
“Gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë është shumë e vështirë”, tha Metani.
Kreu i ILD-së tha se janë përmbushur plotësisht të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi për ILD-në gjatë vitit të kaluar.
Metani tha se gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD-së, 1491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, prej të cilave 1363 ankesa janë të mbartura nga vitet e kaluara.
“Në total janë 2854 ankesa për trajtim, nga këto janë shqyrtuar 1374 ankesa, prej të cilave 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Përveç qytetarëve gjatë vitit 2024 ankues kanë qenë edhe institucionet e sistemit. Gjatë 2024, ILD ka shqyrtuar ankesa nga KLGJ dhe KLP, në kuadër të vlerësimit profesional që ata kryejnë për magjistratë në periudha të ndryshme vlerësimi. Nga viti 2024 deri në shtator 2025 kanë ardhur 1534 ankesa nga këshillat dhe ILD ka trajtuar 1516 dhe ngelën për trajtim edhe 18 ankesa”, tha ai.
“Gjatë vitit 2024 janë përfunduar gjashtë inspektime tematike. Ankuesit ngrenë pretendime për mënyrën e trajtimit dhe vlerësimit të provave në gjyqe, për vonesa në shpalljen e vendime gjyqësore, për moskryerjen e hetimeve, zvarritje të gjykimit nga gjyqtarët etj. ILD ka nxjerrë 23 vendime për 25 magjistratë, prej të cilëve 11 prokurorë, 13 gjyqtarë dhe 1 anëtar këshilli”, tha Metani.
Sipas Metanit, këtë vit janë 11 magjistratë të proceduar, prej të cilëve 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë për shkelje disiplinore, vonesa të përsëritura, mosrespektim i legjislacionit procedural, mosparaqitje e kërkesës për heqje dore nga çështja etj.
“Për gjashtë gjyqtarë është propozuar masa disiplinore për heqje nga detyra, dy kërkesa janë pranuar, dy janë pezulluar dhe dy janë në proces. Pesë prokurorë janë dërguar për procedim disiplinor”, tha Metani.
“Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë, nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Për sa vërehet, problematike vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, jurisprudenca e GJEDNJ, por dhe në raportet e organizmave ndërkombëtare.
“Në vendimmarrjen e saj të fundit, GJEDNJ ka adresuar edhe rekomandime konkrete për autoritetet vendase, duke theksuar nevojën e plotësimit të vakancave në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore, për të cilën u ideua dhe u ndërmor reforma në drejtësi”, theksoi Metani.
Kreu i ILD-së, nënvizoi se ngarkesa e lartë e punës dhe numri i madh i çështjeve gjyqësore mbetet një nga sfidat më serioze që cenon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore.
Deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi kërkoi nga drejtuesi i ILD-së të dijë se cili është qëndrimi i këtij institucioni sa herë ka deklarata politike që shënjestrojnë me emër dhe mbiemër gjyqtarët apo prokurorët, duke u ndalur edhe te deklaratat e Kryeministrit Rama.
Metani u shpreh se ka mbajtur qëndrim publik për çdo deklaratë publike, jo vetëm nga ana e Kryeministrit, por ndaj gjithkujt.
“Kam deklaruar çdo fyerje ndaj magjistratëve, përtej kritikës është antikushtetuese. U kam kërkuar prokurorëve vetëpërmbajtje, pasi deklaratat politike nuk duhet të diktojnë sjelljen e magjistratëve, e cila duhet të jetë në përputhje me ligjin. Ligji dhe Kushtetuta ka garantuar që çdo gjyqtar dhe prokuror të ndihet i lirë në punën e tij”, tha Metani.