Shkup, 14 shkurt – Një nga projektet më të mëdha infrastrukturore për Komunën e Çairit po merr formë konkrete. Bulevardi modern “Mit’hat Frashëri” ka hyrë në fazën e realizimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qarkullimit dhe funksionalitetit urban në këtë pjesë të Shkupit.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë qëndruar në terren për t’u informuar nga afër mbi nisjen e projektit bazë për ndërtimin e bulevardit.
Segmenti që do të ndërtohet, thotë Mexhiti, përfshin hapësirën nga kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi” deri te kryqëzimi me bulevardin “Bosna dhe Hercegovina”, me gjatësi prej rreth 1.4 kilometrash.
“Sipas projektit, bulevardi do të ofrojë zgjidhje moderne të komunikacionit, përfshirë katër korsi qarkullimi – nga dy në secilin drejtim, një brez të gjelbër qendror për rritjen e sigurisë, si dhe shtigje për biçikleta në të dy drejtimet. Po ashtu, janë paraparë trotuare për lëvizje të sigurt të këmbësorëve, gjelbërim mbrojtës anësor dhe hapësira të veçanta për ndalesat e autobusëve”, informon Mexhiti.
Ky investim, i financuar nga Qyteti i Shkupit, sipas Mexhitit, konsiderohet vlerë e shtuar për Çairin, pasi synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, të rrisë sigurinë në komunikacion dhe ta afrojë komunën me standardet e një qyteti modern, të gjelbër dhe funksional.






