Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të BDI-së për bllokimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës në Kuvend, duke e akuzuar opozitën shqiptare për keqpërdorim të parimit të Badinterit për interesa partiake.
Mexhiti thekson se parimi i Badinterit, i cili buron nga negociatat për Marrëveshjen e Ohrit, është ndërtuar si mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e shqiptarëve nga majorizimi dhe jo si instrument për përplasje apo gara politike mes partive shqiptare.
Sipas tij, Badinteri nuk duhet të përdoret për të bllokuar shqiptarët nga vetë shqiptarët, pasi votimi i dyfishtë është konceptuar për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, e jo për të krijuar mekanizma të mbivotimit brenda tyre.
Ai paralajmëron se keqpërdorimi i këtij mekanizmi për interesa të ngushta partiake mund të krijojë precedent të rrezikshëm në të ardhmen, duke hapur rrugë për manipulimin e votimit të dyfishtë dhe cenimin e interesave të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Mexhiti veçon rëndësinë e Ligjit për provimin e jurisprudencës, i cili, sipas tij, avancon të drejtat e shqiptarëve dhe për herë të parë u mundëson studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën e tyre amtare.
“Badinteri nuk guxon të keqpërdoret nga opozita shqiptare si instrument bllokues kundër një ligji që avancon të drejtat e shqiptarëve”, ka theksuar mes tjerash Mexhiti.

