Shkup, 8 tetor Zhurnal.mk – Mundësit e Klubit SHKUPI kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Ballkanik të Mundjes, që u zhvillua në Koprivnicë të Kroacisë, duke u kthyer në Çair me tri medalje.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili ka përgëzuar sportistët për rezultatet e arritura.
Harun Memedi është shpallur Kampion i Ballkanit në kategorinë deri në 38 kilogramë, duke fituar medaljen e artë dhe duke u ngjitur në vendin e parë të podiumit.
Medalje të argjendtë ka fituar edhe Abdul Aziz Azizi në kategorinë deri në 62 kilogramë, ndërsa Miraxh Mustafa ka siguruar medaljen e bronztë në kategorinë U17, në peshën 55 kilogramë.
Tri medaljet përfaqësojnë një tjetër sukses të rëndësishëm për Klubin SHKUPI, Çairin dhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut.
Në përgatitjen dhe drejtimin e ekipit kanë kontribuar Jasin Rexhallari dhe Bunjamin Ebipi, të cilët kanë udhëhequr mundësit gjatë këtij kampionati.
Mexhiti i ka uruar sportistët për suksesin, duke vlerësuar punën, disiplinën dhe përkushtimin e tyre, ndërsa ka theksuar se këto rezultate janë një krenari për Çairin dhe një dëshmi e potencialit të të rinjve në sport.
Nga Kroacia vjen medalja e artë në Çair!
Harun Memedi është Kampion i Ballkanit! Mundësi i Klubit SHKUPI triumfoi në kategorinë 38 kg në Kampionatin Ballkanik në Koprivnicë, duke na bërë krenarë me vendin në majën e podiumit.
E suksesi nuk u ndal me kaq. Abdul Aziz Azizi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë 62 kg, ndërsa Miraxh Mustafa mori të bronztën në kategorinë U17, 55 kg. Tre medalje. Tri arsye të forta për krenari!
Me punë, disiplinë e shpirt luftarak, mundësit e SHKUPI-t nderuan klubin, Çairin dhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut.
Pas këtyre medaljeve qëndron edhe puna e Jasin Rexhallarit dhe Bunjamin Ebipit, të cilët udhëhoqën ekipin dhe e përgatitën për këtë sukses.
Urime, kampionë! Nga Çairi në podiumin ballkanik, me kokën lart!
