Mexhiti priti ambasadorin polak Brymora: Kontributi i Adolf Ciborowskit mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Shkupit

Nga R.ZH
614 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Polonisë në Maqedoninë e Veriut, Mariusz Brymora, i cili vizitoi Komunën e Çairit pas vendosjes së pllakës përkujtimore kushtuar urbanistit dhe arkitektit polak Adolf Ciborowski, shkruan Zhurnal.mk.

Sipas njoftimit të Komunës së Çairit, gjatë takimit është biseduar për kontributin e rëndësishëm të Ciborowskit në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, me theks të veçantë në angazhimin e tij për ruajtjen e Çarshisë së Vjetër si një nga simbolet e identitetit urban dhe kulturor të kryeqytetit.

Mexhiti theksoi se takimi ishte një mundësi për të riafirmuar miqësinë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë, si dhe për të vlerësuar figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e përbashkët të dy vendeve.

“Respekti për personalitetet që kanë kontribuar në historinë tonë të përbashkët krijon ura të forta bashkëpunimi edhe për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Komunës së Çairit e falënderoi ambasadorin Brymora për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë.

Vizita vjen pas vendosjes së pllakës përkujtimore në nder të Adolf Ciborowskit, arkitektit dhe urbanistit polak që dha një kontribut të rëndësishëm në planifikimin urbanistik dhe rindërtimin e Shkupit pas tërmetit të vitit 1963.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër