Shkup, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Financave miratoi Rregulloren e re për përcaktimin e reputacionit, integritetit dhe burimin e mjeteve për organizimin e lojërave të fatit. Rregullorja e re është rezultat i miratimit të Ligjit të ri të Lojërave të Fatit. Me këtë akt nënligjor përshkruhet në detaje dokumentacioni i nevojshëm për konfirmimin e reputacionit të të gjithë personave juridikë dhe fizikë që parashtrojnë kërkesë për licencë për kazino, bastore, klub me automat ose tombolë të llojit të mbyllur.
“Aplikantët janë të detyruar të parashtrojnë dokumentacion që dëshmon përmbushjen e kushteve lidhur me reputacionin, përkatësisht dokumentacion që, ndër të tjera, ka të bëjë me sanksionet e shqiptuara për ndalimin e ushtrimit të profesionit, si dhe me faktin se ndaj tyre nuk është shqiptuar masë ndaluese për organizimin e lojërave të fatit, apo rrethana të tjera të ngjashme që janë të rëndësishme për pjesëmarrjen e tyre në organizimin e lojërave të fatit”.
“Rregullorja përcakton kontroll të rreptë mbi burimin e mjeteve në kryegjënë themelore. Përmes raporteve bankare, kontratave dhe bilanceve financiare, Ministria e Financave do të verifikojë nëse ekziston gjurmë e pandërprerë e lëvizjes së mjeteve financiare, nga burimi i tyre deri te pagesa në shoqëri. Gjithashtu, rregullohen edhe procedurat për ndryshimin e strukturës së pronësisë, ndryshimin e kryegjësë themelore, si dhe emërimin e anëtarëve të organeve të menaxhimit dhe mbikëqyrjes”.
“Miratimi i rregullores vjen si rezultat i Ligjit të ri të Lojërave të Fatit, ku mes të tjerave si risi ishte vendosur vlerësimi i reputacionit të partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të shoqërive të cilëve u është dhënë licenca për lojërat e fatit, si dhe për anëtarët e organeve të menaxhimit dhe mbikqyrjes të shoqërive tregtare për organizimin e lojërave të fatit, ku shteti është aksioner i vetëm, si faktor shumë i rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit, prandaj para së gjithash propozohet vlerësimi i reputacionit për personat e theksuar”.
Ligji i ri i Lojërave të Fatit u miratua në qershor të këtij viti, ndërsa qëllimi ishte krijimi i një kornize ligjore moderne, më e qartë dhe më efikase për rregullimin e kësaj fushe.
