Serafimovski: Ka nisur grumbullimi i duhanit me çmim prej 435 denarësh për kilogram të klasës së parë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Ka nisur grumbullimi i rendimentit të sivjetshëm me çmim prej 435 denarësh për kilogram duhan të klasës së parë, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, gjatë vizitës në pikën grumbulluese të Kombinatit të Duhanit në Prilep, i cili sot ka të hapura 34 pika grumbulluese, ku deri më tani janë grumbulluar më shumë se gjashtë tonë duhan.

“Presim që më shumë se 96 për qind e duhanit të blihet si klasë e parë, që do të thotë se do të arrijmë ta mbajmë çmimin. Ky çmim është edhe me kërkesë të vetë duhanprodhuesve”, tha ministri Borçe Serafimovski.

Ai informoi se sipërfaqet e mbjella me duhan këtë vit janë rritur në krahasim me vitin e kaluar dhe arrijnë rreth 15.100 hektarë, duke theksuar se pritet një prodhim prej 26 deri në 30 milionë kilogramësh, i cili do të blihet sipas kontratave të lidhura më parë.

“Në bisedë me Unionin e Duhanprodhuesve dhe me duhanprodhuesit e tjerë do të propozojmë një zgjidhje të re, përkatësisht rritjen e subvencionit nga 80 në 90 denarë, sepse duam t’i dalim në ndihmë pjesës më të madhe të duhanprodhuesve dhe bujqve që e dorëzojnë duhanin e tyre”, paralajmëroi ministri Borçe Serafimovski, duke sqaruar se do të propozohen ndryshime në vetë programin, ku masa bazë dhe nafta e gjelbër të hiqen, por në vend të kësaj të marrin edhe 10 denarë shtesë subvencion për duhanin.

Duhani i klasës së dytë blihet me çmim prej 370 denarësh, ndërsa ai i klasës së tretë me 305 denarë për kilogram.

Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë ndodhet në terren që nga dita e parë e grumbullimit, ndërsa në ditët në vijim kontrollet do t’i përfshijnë të gjitha 317 pikat grumbulluese të dhjetë blerësve të regjistruar në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër