Tiranë, 15 maj Zhurnal.mk – Kryeministri i Republikës së Estonisë, Kristen Michal, deklaroi se fluturimet e drejtpërdrejta mes Talinit (Tallinn) dhe Tiranës do të krijojnë mundësi të reja për turizmin, qytetarët dhe bizneset mes dy vendeve.
Në deklaratën e përbashkët për mediet nga Estonia, me Kryeministrin Edi Rama, Michal u shpreh se Shqipëria dhe Estonia kanë potencial të madh për bashkëpunim, veçanërisht në fushën digjitale dhe inteligjencën artificiale.
“Mes dy vendeve tona ka shumë mundësi bashkëpunimi. Ka interes në rritje për inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital. Përvoja e Estonisë si një vend digjital tregon se teknologjia mund të reduktojë burokracitë dhe të përmirësojë shërbimet publike. Sot, thuajse të gjitha shërbimet publike në Estoni janë online”, tha Michal.
Kryeministri estonez theksoi se nisma e re e Estonisë për inteligjencën artificiale përbën një investim strategjik për të ardhmen e vendit.
“Nisma jonë e sapoprezantuar për inteligjencën artificiale është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e Estonisë. Ajo ndihmon në rritjen e ekonomisë dhe në përmirësimin e jetës dhe punës së njerëzve”, deklaroi ai.
Michal shprehu gjithashtu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë në sektorin digjital dhe teknologjik.
“Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin për çështjet digjitale dhe inteligjencën artificiale. Shqipëria ka një ministre për inteligjencën artificiale. Estonia qartësisht duhet të ecë që t’ju kapë aty”, u shpreh kryeministri estonez.
Michal shtoi se, që nga dje flamuri shqiptar valvitet në Qendrën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO në Talin dhe se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej në prag të përvjetorit të 25-të të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Sot do të vijojmë me diskutimet tona dhe së shpejti do të takohemi ne Samitin e BE dhe Ballkanit Perendimor dhe gjithmonë zoti Rama jeni i mirëpritur të ktheheni ne Estoni” , deklaroi ai.
