Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë pretendimet se Qeveria planifikon të shfuqizojë shtyllën e dytë pensionale. Ai theksoi se nuk ekziston as iniciativë, as vendim i tillë, pas debatit të hapur në opinion për mundësinë e transferimit të mjeteve nga fondet private të pensioneve në fondin shtetëror.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me reagimet e shoqërive pensionale dhe pasojat e mundshme nga një ndryshim eventual i sistemit, Mickoski nënvizoi se mund të flasë vetëm në emër të Qeverisë — dhe se asnjë njoftim zyrtar për shfuqizim të shtyllës së dytë nuk ekziston.
“Kush ka paralajmëruar se do të ketë shfuqizim të shtyllës së dytë? Nuk e kuptoj… Unë mund të flas në emër të Qeverisë — një paralajmërim i tillë nuk ka,” deklaroi Mickoski.
Kryeministri e dha këtë deklaratë gjatë vizitës në Spitalin Klinik të Bitolës, ku iu përgjigj disa pyetjeve të gazetarëve.
