Shkup/Sofje, 19 prill Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski ka ironizuar numrin e ulët të qytetarëve që deklarohen si bullgarë në Maqedoninë e Veriut dhe që kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Bullgaria.
Sipas tij, edhe pse janë bërë pretendime se në vend jetojnë mbi 200 mijë bullgarë, në procesin zgjedhor kanë votuar vetëm rreth 250 persona nga Maqedonia e Veriut.
Mickoski tha se pret që zgjedhjet në Bullgari të prodhojnë një qeveri të orientuar drejt Bashkimit Evropian, e fokusuar në marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe vlera evropiane, duke lënë mënjanë, siç u shpreh ai, çështjet bilaterale që pengojnë proceset integruese.
Ai theksoi se një shtet anëtar i BE-së duhet të promovojë kriteret e Kopenhagës dhe jo të përdorë çështje historike për bllokime politike.
Ndërkohë, analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk pritet stabilitet i madh politik në Bullgari, duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë edhe në dialogun mes dy vendeve.
Ish-ambasadori Vasko Naumovski vlerëson se ekziston mundësia për qëndrime më të ashpra nëse formohet një shumicë e caktuar politike, duke shtuar se perspektiva për përmirësim të marrëdhënieve mbetet e pasigurt.
Që nga viti 2021, Bullgaria ka kaluar periudha të përsëritura krizash politike dhe qeveri të paqëndrueshme, me parlamente të fragmentuara dhe zgjedhje të shpeshta.
