Tetovë, 30 tetor Zhurnal.mk – Brvenica meriton zhvillim, meriton siguri dhe meriton një të ardhme në të cilën të rinjtë do të qëndrojnë, familjet do të përparojnë dhe çdo njeri, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, fetare apo politike, do ta ndiejë se ky është vendi i tij, komuna e tij dhe shteti i tij.
Sepse fuqia e një komune nuk matet vetëm me numrin e rrugëve, ujësjellësve dhe shkollave të ndërtuara. Ajo matet edhe me besimin mes njerëzve. Me ndjenjën se askush nuk është harruar, se askush nuk është lënë vetëm dhe se institucionet ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve, e jo qytetarët t’u shërbejnë institucioneve.
Pikërisht për këtë arsye, sot dua të flas për një Brvenicë që nuk ndahet. Për një Brvenicë që i bashkon njerëzit e saj. Për një Brvenicë ku dallimet nuk janë shkak për ndarje, por pasuri që duhet ta ruajmë.
Të dashur miq, vëllezër e motra,
Në politikë ekzistojnë dy lloje njerëzish. Të parët vijnë para qytetarëve kur kanë nevojë për votën e tyre, ndërsa të dytët qëndrojnë pranë qytetarëve edhe pasi të përfundojnë zgjedhjet, kur kamerat fiken dhe kur fillon puna e vërtetë.
Unë besoj te këta të dytët. Besoj te njerëzit që nuk kërkojnë arsyetime, por zgjidhje. Te ata që funksionin nuk e shohin si privilegj, por si obligim. Te ata që e dinë se pas çdo vendimi qëndron jeta e dikujt, vështirësia e dikujt dhe shpresa e dikujt.
Prandaj Brvenica është e rëndësishme. Jo vetëm për njerëzit që jetojnë këtu, por edhe për të gjithë Maqedoninë. Sepse këtu dëshmohen karakteri dhe qëndrimi i popullit, vendosmëria e tij dhe përcaktimi i qartë se çfarë të ardhmeje dëshiron, çfarë shteti synon dhe për çfarë Maqedonie jemi të gatshëm të luftojmë. Zgjedhja është e qartë dhe nuk mund të jetë më e qartë.
Nga njëra anë janë ata që duan të na kthejnë prapa, në kohën e ndarjeve, pazareve politike dhe interesave personale, ndërsa nga ana tjetër janë njerëzit që besojnë se Maqedonia duhet të ecë përpara, se shteti u përket të gjithë qytetarëve të tij dhe se e ardhmja nuk duhet të jetë peng i kalkulimeve politike të askujt.
Prandaj dua t’ju them diçka shumë të rëndësishme. Kur dikush vazhdimisht përhap mjegull etnike, kur hap çështje kombëtare sa herë që nuk ka asgjë për të ofruar, kur për të është më i rëndësishëm emri apo mbiemri i dikujt sesa karakteri i tij, kur përkatësinë etnike e vendos para punës, ndershmërisë, energjisë dhe dashurisë për Maqedoninë, atëherë keni arsye serioze të pyesni se cilat janë qëllimet e tij të vërteta.
Sepse patriotizmi nuk dëshmohet me parulla nacionaliste, por me vepra. Me punë të ndershme, përgjegjësi dhe respekt njerëzor. Ata që flasin më së shumti për interesat kombëtare, shumë shpesh mendojnë më së shumti për interesat e tyre personale. Sa më shumë që flasin për popullin, aq më shumë duhet t’i shohim veprat e tyre. Dhe sa më shumë që fshihen pas nacionalizmit, aq më me kujdes duhet të pyesim nëse pas tij qëndron kujdesi i vërtetë për qytetarët apo vetëm dëshira për pushtet dhe privilegje.
Këtu, në Brvenicë, politikisht përballemi me koalicionin e udhëhequr nga BDI-ja. Ju i njihni mirë ata. I njihni si librin e hapur. Janë po ata politikanë që për më shumë se dy dekada e kishin pushtetin dhe që, në vend që të merreshin me problemet e qytetarëve, publiku i shihte duke luajtur futboll dhe basketboll nëpër kabinete.
Janë ata, qeverisjen e të cilëve e shënuan shumë çështje që lidhen me tenderët, privilegjet dhe afërsinë me qarqe të caktuara të biznesit. Ata që vazhdimisht flisnin për të drejtat e shqiptarëve, ndërsa sot duhet të japin përgjigje se çfarë kanë bërë konkretisht për një jetë më të mirë të shqiptarit të zakonshëm, maqedonasit të zakonshëm apo të cilësdo familje tjetër që jeton në këtë shtet.
Sepse varfëria nuk ka kombësi. Korrupsioni nuk pyet se në cilën gjuhë flisni. Dhe kur politikanët punojnë për veten e tyre, në vend që të punojnë për popullin, dëmin e paguajnë të gjithë. Pikërisht për këtë arsye ka ardhur koha t’i jepet fund politikës që i përçan njerëzit, në mënyrë që të mund t’i qeverisë më lehtë.
Të dashur miq, vëllezër e motra,
Që të kemi sukses në këtë drejtim, duhet të jemi të bashkuar. Jo të bashkuar kundër dikujt, por të bashkuar për diçka më të madhe se të gjithë ne. Të bashkuar për një jetë më të mirë, për një Brvenicë më të fortë dhe për një Maqedoni ku do të ketë vend dhe mundësi për çdo njeri.
Brvenica ka njerëz punëtorë, bujq që zgjohen çdo mëngjes para lindjes së diellit, sipërmarrës që krijojnë vende pune, mësimdhënës që ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, mjekë, punëtorë, pensionistë, të rinj me ide dhe ambicie, si dhe familje që me punë të ndershme dhe shumë sakrifica kanë krijuar shtëpitë dhe të ardhmen e tyre.
Këta njerëz nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Kërkojnë kushte dinjitoze për jetë. Kërkojnë rrugë nëpër të cilat do të lëvizin të sigurt, ujë të pastër në shtëpitë e tyre, shkolla të rregulluara, shërbime publike funksionale dhe institucione që do t’u shërbejnë atyre. Kjo nuk është luks. Është e drejtë e çdo qytetari.
Të dashur miq,
Dua t’u drejtohem në veçanti të rinjve të Brvenicës. E di se shumë prej jush mendojnë të largohen. E di se ka të tillë që shikojnë drejt Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore, duke kërkuar paga më të mira, më shumë mundësi dhe siguri më të madhe. Dhe askënd nuk do ta gjykoj për këtë. Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë një jetë më të mirë.
Por, si kryetar i Qeverisë, kam obligim të punoj për Maqedoninë dhe të luftoj që ajo të bëhet një vend ku largimi nuk do të jetë domosdoshmëri, por zgjedhje. Një vend ku i riu do të mund të ketë sukses me punën e tij. Një vend ku ia vlen të krijosh familje, të investosh, të ndërtosh dhe të qëndrosh.
Prandaj është e rëndësishme të bashkohemi. Dhe pikërisht për këtë, sot ju bëj thirrje të gjithëve që së bashku, banorët e Brvenicës, ta mbështesim Stojançe Radiçevskin, Çokin tonë.
Ai është kandidati i të gjithë qytetarëve. Ai është zgjedhja që mund të sjellë një jetë më të mirë, një jetë për të gjithë: për anëtarët dhe simpatizantët e VMRO-DPMNE-së, të koalicionit tonë, të LSDM-së, VLEN-it, BDI-së, për ata që kanë përcaktim politik dhe për ata që nuk kanë, për çdo njeri që e do Brvenicën dhe dëshiron që ajo të ecë përpara. Zgjedhja këtu është e qartë: e ardhmja apo kthimi prapa.
Le të dëshmojmë se mund të jemi të ndryshëm, por përsëri të bashkuar. Se mund të kemi qëndrime të ndryshme, por ta duam atdheun tonë të përbashkët, Maqedoninë. Se mund të garojmë në politikë, por të jemi së bashku kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Dua të përcjell këtu edhe një mesazh shumë të rëndësishëm, të cilin mendoj se është me rëndësi ta them sot, në këtë tubim të fundit përmbyllës. E thashë edhe në fjalimin tim se Stojançe Radiçevski, Çoki ynë, është njeriu të cilin pres që banorët e kësaj komune të bukur të Brvenicës ta mbështesin, pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.
Kam pasur shumë herë mundësinë të kaloj kohë këtu, në këtë komunë dhe në vendbanimet e saj të ndryshme. Hera e fundit ishte veçanërisht mbresëlënëse për mua, kur vizituam disa vendbanime që në thelb janë multietnike dhe shumëkonfesionale.
Në një vendbanim në Tenovë, një vend i mrekullueshëm dhe i bukur, xhamia dhe kisha qëndronin pranë njëra-tjetrës. Njëri prej njerëzve që ishin të pranishëm më kapi për dore dhe më tha: “Eja të të them diçka”. U largova disa hapa me të dhe ai më tha: “E sheh xhaminë?”. I thashë po. “E sheh kishën?”. Po, i thashë. “Ne këtu përshëndetemi dhe i lutemi të njëjtit Zot në objekte të ndryshme fetare. Myslimanët hyjnë në xhami, ndërsa të krishterët ortodoksë hyjnë në kishë. Kështu është prej vitesh, prej dekadash dhe prej shekujsh. Kështu do të vazhdojë të jetë edhe në dekadat dhe shekujt që vijnë”.
Por ka politikanë që gjatë ditëve të fundit, madje edhe sot, po përpiqen t’ju përçajnë.
Përpiqen t’ju ndajnë mbi baza etnike, fetare apo çfarëdo baze tjetër. Këta janë njerëz që në karrierën e tyre modeste politike nuk do të mbahen mend për asgjë tjetër, përveçse për ndarjet. Për asgjë tjetër nuk do t’i kujtojmë, vetëm për ndarjet.
Duhet ta dini se do të kalojë 1 nëntori, do të vijë 2 nëntori, ata do të largohen dhe shtrohet pyetja nëse do të kthehen ndonjëherë përsëri këtu. Ndërsa ju, në Tenovë, Radiovcë, Brvenicë, Sedllarcë, Miletninë, Çellopek dhe në të gjitha vendbanimet e tjera, do të vazhdoni të jetoni pranë njëri-tjetrit. Do të vazhdoni të jeni mbështetje për njëri-tjetrin.
Dhe kur të dashurit tuaj, për shkak se dikush ka vendosur t’ju përçajë, do të vendosin të largohen diku tjetër, kur fëmijët dhe nipërit tuaj të largohen, pavarësisht nëse bëhet fjalë për migrim të brendshëm apo për largim jashtë vendit, loti i nënës shqiptare do të dhembë njësoj si loti i nënës maqedonase. Njësoj do të dhembë loti i nënës së moshuar shqiptare dhe i nënës së moshuar maqedonase.
Kujtojeni këtë që po ju them: ata nuk do të jenë këtu me ju. Përsëri do të jemi ne, kjo Qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni.
Pse po e them këtë? Sepse pikërisht ata ishin shkaku që mijëra të rinj u larguan. Ndërsa sot, pa pikë pendese dhe pa pikë turpi, i lusin të kthehen, që përsëri t’i përçajnë, pa ofruar as edhe pak perspektivë apo projekte për të ardhmen.
Ata nuk flasin për projekte, sepse nuk e njohin këtë gjuhë. Ka pasur kryetarë komunash e kryetarë komunash. Ka pasur një qeveri ku ata ishin për më shumë se dy dekada. Sa projekte realizuan për Brvenicën? Zero, asnjë projekt. Dëshironi projekte? Zero. A doni të matemi sipas kësaj?
Sot po ndërtohen salla sportive, po rinovohen shkolla, po ndërtohen terrene sportive dhe po asfaltohen rrugë. Ky është dallimi mes Qeverisë së sotme të VMRO-DPMNE-së dhe qeverisë në të cilën për më shumë se dy dekada ishte Bashkimi Demokratik për Integrim. Përveç ndarjeve, asgjë tjetër.
Dëshironi të flasim për drejtësinë? Atëherë le të flasim për drejtësinë. Kujtojeni spitalin modular, kujtojeni se si njerëzit u dogjën të gjallë dhe kujtojeni vendimin e Gjykatës Supreme. Shikoni gjyqtarët që morën atë vendim më 22 tetor të këtij muaji, kur i liruan ata persona. Po, të njëjtët persona. Pse? Sepse janë të afërt me udhëheqësinë e BDI-së.
A duam një drejtësi të tillë? A është kjo e ardhmja e Maqedonisë? A është kjo e ardhmja jonë e përbashkët, e maqedonasve, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që jetojmë pranë njëri-tjetrit prej shekujsh?
Prandaj ju bëj thirrje që të dilni masivisht dhe të votoni numrin 1. Të votojmë për Stojançon. T’i mposhtim këta politikanë të shekullit të kaluar. Këta njerëz nuk janë politikanë të së ardhmes.
Sepse Maqedonisë nuk i duhen ndarje të reja, por suksese. Nuk i duhen arsyetime, por rezultate. Nuk i duhen politikanë që tregojnë pse diçka nuk mund të bëhet, por njerëz që do të gjejnë mënyrën se si ajo të realizohet.
Dhe ky obligim, kjo betejë e jona, është një betejë nga e cila nuk duhet të heqim dorë.
Një Brvenicë për të gjithë, një e ardhme që do ta ndërtojmë së bashku. Një Maqedoni që do të ecë përpara.
Drejt një fitoreje bindëse.
