Nxënësit e shkollës fillore “Bajram Shabani” mësim pa rrymë, shkak instalimet e vjetra elektrike

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 30 tetor Zhurnal.mk – Shkolla fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë ka mbetur pa energji elektrike nga dje rreth orës 14:00 deri sot rreth orës 10:00. Për shkak të ndërprerjes, nxënësit për tri orë e kanë ndjekur mësimin pa energji elektrike, ndërsa orët e mbetura nuk janë mbajtur fare.

Për këtë, drejtori i shkollës, Fatmir Ebibi, thotë se janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe se defekti është sanuar. Sipas tij, vjetërsia e objektit dhe problemet me instalimet elektrike ngrenë pikëpyetje edhe për sigurinë e tyre.

“Objekti i shkollës e dini se është i vjetër dhe për shkak të ngarkesës së instalimeve elektrike është e nevojshme të shqyrtohet sidomos nga ekspert kompetent. Si drejtor i shkollës, përgjegjësia kryesore është siguria e nxënësve dhe punonjësve, si dhe sigurimi i kushteve më të mira në procesin mësimor në shkollë.”, – deklaroi drejtori i ShF “Bajram Shabani”, Fatmir Ebibi.

Nga Elektrodistribuimi thonë se ekipet e tyre kanë dalë në terren menjëherë pas marrjes së njoftimit.

“Pas kontrolleve të kryera është konstatuar se ndërprerjet ndodhin për shkak të instalimit të brendshëm të vetë objektit, i cili instalim nuk është në pronësi dhe as nën kompetencën e Elektrodistribuimit.”, thanë nga EVN Elektrodistribuimi.

Edhe pse defekti është sanuar dhe procesi mësimor ka rifilluar, mbetet e hapur çështja e sigurisë së instalimeve elektrike në objekt. Sipas udhëzimeve të sigurisë elektrike, instalimet e vjetruara ose me izolim të dëmtuar mund të shkaktojnë mbinxehje të kabllove, shkëndija, goditje elektrike dhe madje zjarre, veçanërisht në mungesë të kontrolleve dhe mirëmbajtjes së rregullt.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër