Ohër, 1 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se gjatë vitit të kaluar është shënuar përmirësim i dukshëm në tregun e punës, duke theksuar se numri i të punësuarve është rritur me më shumë se 15 mijë, ndërsa ai i të papunëve është ulur për mbi 10 mijë persona.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Ohër lidhur me mënyrën se si Qeveria po e ndihmon ekonominë dhe punëtorët, Mickoski vlerësoi se këto shifra janë tregues i qartë i politikave ekonomike që, sipas tij, po japin rezultate konkrete.
Ai theksoi se prioritet i Qeverisë mbetet krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i standardit të jetesës dhe mbështetja e sektorit privat, me qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Kryeministri shtoi se institucionet do të vazhdojnë me masa dhe politika që synojnë uljen e papunësisë dhe nxitjen e investimeve, duke theksuar se stabiliteti ekonomik dhe zhvillimi i tregut të punës mbeten ndër objektivat kryesore të ekzekutivit.
Ai nuk dha detaje shtesë mbi sektorët konkretë që kanë ndikuar në rritjen e punësimit, por nënvizoi se trendi pozitiv pritet të vazhdojë edhe gjatë periudhës në vijim.
