VLEN: Investim historik prej 74 milionë euro për Spitalin Klinik në Tetovë

Nga B.M
707 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 1 maj, Zhurnal.mk – Rajoni i Pollogut pritet të përfitojë nga një investim i madh në sektorin e shëndetësisë, i cili synon modernizimin e plotë të Spitalit Klinik në Tetovë, njoftojnë nga VLEN.

Sipas këtij subjekti politik, projekti kap vlerën prej rreth 74 milionë euro dhe konsiderohet si një nga investimet më të mëdha shëndetësore të realizuara ndonjëherë në këtë rajon.

Projekti parashikon rikonstruimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërtimin e pavijoneve të reja, si dhe pajisjen e spitalit me teknologji moderne, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për pacientët.

Nga ky investim pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 250 mijë qytetarë, duke reduktuar nevojën për trajtim jashtë rajonit dhe duke afruar shërbimet më cilësore pranë pacientëve.

Nga VLEN theksojnë se projekti do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve shëndetësore në Pollog, duke krijuar kushte më të mira si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor.

Ata shtojnë se, pas viteve të gjata mungese investimesh në këtë sektor, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër