Mickoski: Nuk planifikohen zgjedhje të parakohshme, vendi të fokusohet te reformat

Nga B.M
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 mar, Zhurnal.mk – Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se nuk pret që në vend të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se qëllimi i Qeverisë mbetet organizimi i zgjedhjeve të rregullta në vitin 2028.

Në një prononcim për media, Mickoski theksoi se pavarësisht se mund të jetë politikisht e leverdishme të shkohet në zgjedhje të parakohshme pas rezultateve në zgjedhjet lokale, aktualisht prioritet duhet të jenë reformat.

“Qëllimi ynë janë zgjedhjet e rregullta parlamentare në vitin 2028. Edhe pse mund të jetë politikisht e volitshme të organizohen zgjedhje të parakohshme, nuk mendoj se ky është qëllimi tani. Mendoj se duhet të përqendrohemi te reformat”, deklaroi Mickoski, transmeton zhurnal.mk.

Kryeministri foli edhe për rikonstruimin e Qeverisë, duke bërë të ditur se ky proces pritet të ndodhë në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit.

Sipas tij, aktualisht është në zhvillim konsolidimi i brendshëm si në partinë e tij, ashtu edhe në kuadër të koalicionit VLEN, i cili, sipas informacioneve të fundit, pritet të shndërrohet në një subjekt të vetëm politik.

“Pres që konsolidimi i brendshëm të përfundojë në prill, ndërsa në maj-qershor të fillojnë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë”, u shpreh Mickoski.

Ai nënvizoi se stabiliteti politik dhe fokusi në reformat mbeten prioritet kyç për periudhën në vijim.//Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër