BDI reagon ndaj deklaratës së Kryeministrit për gjuhën shqipe: Rrezikohet rendi kushtetues dhe bashkëjetesa ndëretnike

Nga B.M
576 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 mar, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit në Kuvend lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Nga BDI thonë se qëndrimi i Kryeministrit, sipas të cilit gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuha zyrtare është vetëm maqedonishtja, përbën rikthim në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991. Sipas tyre, një interpretim i tillë injoron Amendamentin V të vitit 2001, i cili, siç theksojnë, është themel i rendit kushtetues dhe i balancës ndëretnike në vend.

BDI vlerëson se ky qëndrim cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se ajo nuk është kompromis simbolik, por një arkitekturë reale e bashkëjetesës që synon tejkalimin e konflikteve të së kaluarës.

“Relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por hapje e një rruge të rrezikshme që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionalitetin e demokracisë multietnike”, thuhet në reagimin e BDI-së, transmeton Zhurnal.

Sipas BDI-së, kjo qasje përfaqëson një tentativë për kthim prapa dhe revizion të arritjeve themelore të shtetit, në kundërshtim me konceptin e një shteti multietnik dhe demokratik.

BDI i bën thirrje Kryeministrit që të tërhiqet nga deklaratat e tij dhe të respektojë plotësisht rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit, duke paralajmëruar se çdo devijim nga ky rend përbën rrezik për stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit.

Reagimi i sotëm I BDI-së bëhet ndaj deklaratës së Mickoskit të së enjtes në seancën e parlamentit kur ai u përplas me deputetin Skender Rexhepi.

“Akush nuk ka gjë kundër që ju të përdorni gjuhën shqipe. Mund që të flisni edhe në gjuhën angleze, gjermane apo franceze, nuk e di a ka përkthim për këto këtu… nuk kam unë asgjë, as dikush këtu në sallë të ketë gjë kundër… Por duhet ta dini se gjuhë zyrtare në këtë shtet është maqedonishtja dhe shkrimi cirilik, edhe në përdorim ndërkombëtar, kështu thotë kushttuta, nëse e lexojmë drejt kushtetutën,“ tha Mickoski në një kundër-përgjegje ndaj Rexhepit, i cili i tha atij në seancë se “sipas kushtettutës së Republikës së Maqedonisë gjuhë kushtetuese është gjuha maqedonase e poashtu gjuhë kushtetuese është dhe gjuha shqipe e që janë të pranuara edhe nga parlamenti …”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër