Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e sotme për media, deklaroi se rasti i kthimit të pasaportës së të akuzuarit për keqpërdorime, Borçe Markovski, do të jetë objekt hetimi, duke theksuar se në procedurë ka “parregullsi serioze”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Mickoski tha se, sipas tij, bëhet fjalë për manipulim të rëndë nga një prokuror lokal, për të cilin pretendon se ka qenë “bashkëpunëtor në proces”.
“Mendoj se këtu ka manipulim të rëndë nga një prokuror lokal në Prokurorinë e Lartë Publike, i cili është bashkëpunëtor në këtë proces – dhe kjo nuk do të përfundojë kështu,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se për momentin nuk do të publikojë emra, pasi pritet një hetim i cili duhet të konstatojë të gjitha rrethanat.
Kryeministri theksoi se, sipas informacioneve me të cilat disponon Qeveria, ekziston mospërputhje mes raportit të Prokurorisë Themelore Publike dhe procesverbalit të dorëzuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Bitolë.
“Nga ana e Prokurorisë Themelore Publike kemi raport tjetër nga ai që është dorëzuar si procesverbal nga Prokuroria e Lartë Publike. Kjo nuk do të përfundojë kështu,” nënvizoi Mickoski.
