Pragë, 18 maj, Zhurnal.mk – Mijëra qytetarë dolën dje në rrugët e disa qyteteve në Republikën Çeke, për të protestuar në mbështetje të pavarësisë së radios dhe televizionit publik, kundër planeve të qeverisë së djathtë populiste të kryeministrit, Andrej Babis.
Koalicioni tripartiak synon të heqë tarifat e licensës për radio dhe televizion dhe, në vend të tyre, ta financojë drejtpërdrejt nga shteti, Televizionin Çek dhe Radion Çeke.
Kritikët paralajmërojnë se kjo mund të cenojë pavarësinë editoriale të transmetuesve dhe të hapë rrugën për ndikim politik.
Protestat u zhvilluan në 12 qytetet më të mëdha të vendit dhe u organizuan nga lëvizja qytetare “Një Milion Momente për Demokracinë”, e cila organizoi së fundmi një demonstratë të ngjashme në kryeqytetin e Pragës.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kritikuan projektligjin që parashikon financimin e drejtpërdrejtë të medieve publike nga buxheti i shtetit duke filluar nga viti 2027, me fonde dukshëm më të ulëta se aktualisht.
Pamjet e publikuara nga agjencia e lajmeve CTK treguan protestues të mbledhur pranë një godine transmetimi në Brno, duke valëvitur flamuj çekë.
Në pankarta shkruhej “Liri për mediet!” dhe “Jemi me ju!”, në mbështetje të gazetarëve të radios dhe televizionit publik.
Stafi i transmetuesve iu përgjigj protestuesve duke shpalosur një banderolë nga dritarja e studios me mesazhin: “Faleminderit!”
Që prej dhjetorit, Çekia drejtohet nga një koalicion i përbërë nga partia populiste e djathtë “ANO” e Babis, partia e ekstremit të djathtë “Liria dhe “Demokracia e Drejtpërdrejtë” dhe partia “Motoristët”.
