Starmer refuzon të largohet, Lammy: Do të vazhdojë betejën politike

Nga D. V.
490 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 18 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri britanik, Keir Starmer nuk do të vendosë një afat për largimin nga drejtimi i qeverisë, ndërsa do të vazhdojë betejën politike, deklaroi sot një nga aleatët e tij më besnikë në kabinet, duke i bërë thirrje Partisë Laburiste, të ndalë përçarjet e brendshme pas një jave tensionesh.

Në një paralajmërim të fortë ndaj kolegëve, zëvendëskryeministri David Lammy tha se partia në pushtet rrezikon të humbasë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme nëse vazhdon “vetëanaliza” dhe përplasjet e 10 ditëve të fundit.

Duke folur për mediet, Lammy konfirmoi se do të mbështesë “100%” kandidaturën e kryebashkiakut të Mançesterit të Madh, Andy Burnham, në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, të cilat ai duhet t’i fitojë për të hapur rrugën drejt një sfide për postin e kryeministrit.

“Dua të jem shumë i qartë, Keir Starmer mbetet njeriu më i qëndrueshëm që njoh. Fola me të dy herë dje. Ai ka forcë karakteri dhe përvojë në përballje. Nuk do të ketë afate. Ajo që ka rëndësi është vijimi i punës së qeverisë”, tha Lammy.

Ai pranoi se laburistët shënuan një “autogol spektakolar” pas humbjes së rëndë në zgjedhjet lokale, që rriti thirrjet për dorëheqjen e Starmer.

“Është koha të ndalojmë autogolat, të rikthehemi në fushë, të luajmë në drejtimin e duhur dhe të shënojmë për qytetarët britanikë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, debati për rikthimin e BM-së në Bashkimin Evropian është kthyer në një pikë të nxehtë mes rivalëve që synojnë të zëvendësojnë Starmer.

Lammy iu shmang pyetjes nëse mbështet ribashkimin me BE-në, duke theksuar se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj linjave të kuqe të Brexit.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, sinjalizoi se dëshiron rikthimin e Britanisë së Madhe në BE, ndërsa njoftoi kandidimin në garën për drejtimin e Partisë Laburiste.

Mbështetësit e Burnham e kritikuan këtë lëvizje, duke e konsideruar atë, një përpjekje për të dëmtuar fushatën e tij në Makerfield, një zonë që votoi për Brexit dhe ku partia “Reform UK” shihet si konkurrent i fortë.

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, kritikoi Streeting për vendosjen e çështjes së Evropës në qendër të fushatës për drejtimin e partisë.

Lideri i “Reform UK”, Nigel Farage, e sulmoi Burnham për qëndrimin pro rikthimit në BE, duke e lidhur me çështjen e emigracionit.

Sipas raportimeve, Starmer e kaloi fundjavën në rezidencën zyrtare në Chequers dhe po shqyrton privatisht nëse do të kandidojë përballë rivalëve, megjithëse publikisht ka deklaruar se do të qëndrojë në garë.

Lammy, i pyetur sërish për të ardhmen e kryeministrit, tha se Starmer ka qenë “plotësisht i qartë” se do të vazhdojë.

“Ai do të vazhdojë të luftojë në emër të popullit britanik dhe ka mbështetjen time të plotë”, deklaroi Lammy.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër