Teheran, 5 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi do të udhëtojë sot në Kinë për bisedime mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, raportoi media shtetërore, ndërsa tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë të përshkallëzohen sërish në konflikt të plotë.
“Ministri i Jashtëm, Araghchi pritet të takohet sot me homologun e tij kinez Wang Yi”, tha agjencia e lajmeve “Tasnim”.
Kina është vendi blerës kryesor i naftës dhe gazit të Iranit dhe ka kritikuar bllokadën detare amerikane që synon portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Araghchi zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin në Shën Peterburg, javën e kaluar.
Tensionet u përshkallëzuan pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi dje se do ta zhdukte Iranin “nga faqja e dheut”.
Paralajmërimi pasoi sulme iraniane ndaj objekteve të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe në përgjigje të një iniciative ushtarake amerikane që synonte rihapjen e ngushticës, e cila në fakt është mbyllur që kur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shpërtheu më 28 shkurt.
