Ministri Sali priti në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në RMV, Le Rigoler

Nga B.M
753 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 janar – Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, realizoi sot një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, z. Kristof Le Rigoler, ku u diskutua për procesin e integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.

Në takim, Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për kontributin konkret në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave. Ai theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe reformat e ndërlidhura do të jenë prioritet kryesor në punën e tij si Ministër për Çështje Evropiane.

Palët shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në politikën e zgjerimit të BE-së dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit të reformave, duke shfrytëzuar momentumin pozitiv në rajon. Ministri Sali theksoi angazhimin për forcimin e rolit koordinues të Ministrisë për Çështje Evropiane, për operacionalizimin e strukturave kombëtare për negociatat dhe Agjendën e Reformave, si dhe për rritjen e absorbimit të fondeve të BE-së.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe gjendja aktuale e procesit të anëtarësimit, përfshirë përmbushjen e detyrimeve nga raportet e skriningut, finalizimin e udhërrëfyesve për Sundimin e Ligjit dhe Reformën e Administratës Publike, si dhe avancimin e kërkesave të tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.

Ministri Sali theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, duke ruajtur harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dëshmi e qartë e orientimit strategjik drejt anëtarësimit.

Në këtë kuadër, u vlerësua edhe bashkëpunimi me “Expertise France” dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe programet e mbështetjes në fushën e zhvillimit institucional dhe ngritjes së kapaciteteve të administratës, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në përafrimin me standardet e BE-së.

Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të dialogut politik dhe bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët, si energjia, transformimi digjital, infrastruktura, arsimi dhe kultura, si dhe për vazhdimin e koordinimit të ngushtë në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër