Shkup, 31 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Transportit sot kumtoi se e kupton plotësisht sfidën me të cilën përballen transportuesit e Maqedonisë dhe po punon në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme për të gjetur zgjidhje konkrete për të kapërcyer problemin me vendet e zonës Shengen.
“Në kuadër të mundësive të cilat i ka në dispozicion Ministria, po punojmë për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen, sepse besojmë se kjo është zgjidhja më e përshtatshme që Maqedonia ta zgjidhë në mënyrë të pavarur problemin e transportuesve. Potencojmë se marrëveshje të tilla tashmë janë lidhur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë. Intensivisht po punojmë me qeveritë e Austrisë dhe Gjermanisë, ndërsa pritet të mbahet një takim i nivelit të lartë me qeverinë austriake në shtator, ndërsa në tetor me Slloveninë, me qëllim arritjen e marrëveshjeve dypalëshe me këto vende për lëshimin e vizave afatgjata për transportuesit e Maqedonisë”, theksojnë nga Ministria.
Meqenëse këto janë rregulla në zonën Shengen, potencohet në kumtesë, se ajo që Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Transportit, mund të bëjë dhe ajo që ka në dispozicion është të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe me shtetet anëtare të zonës Shengen për lëshimin e vizave afatgjata.
“Ideja është që të mbulohen përgjithësisht rrugët ku transportuesit e Maqedonisë punojnë tradicionalisht. Kjo do të thotë vendet ku ka frekuencën më të lartë të transportuesve të Maqedonisë dhe me këto vende Qeveria dhe Ministria po punojnë për marrëveshje dypalëshe për viza afatgjata. Potencojmë se Maqedonia duhet ta zgjidhë problemin në mënyrë të pavarur dhe e vetmja mënyrë në këtë moment është përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet e zonës Shengen. Industria e transportit është motori i ekonomisë së Maqedonisë dhe për këto arsye besojmë se industria nuk duhet të ndalojë së punuari, përkundrazi, Qeveria dhe Ministria e Transportit vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive për të gjetur zgjidhje shtesë”, potencojnë nga Ministria e Transportit.
