Ministria e Tregtisë e Kinës tha të shtunën se konsultimet ekonomike dhe tregtare midis Kinës e Shteteve të Bashkuara kanë dhënë rezultate pozitive.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të medias, një zëdhënës i ministrisë tha se takimi i Pekinit midis dy krerëve të shtetit ofroi udhëzime strategjike për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike-tregtare dypalëshe.
Sipas zëdhënësit, presidenti kinez Xi Jinping tha se lidhjet ekonomike Kinë-ShBA janë me dobi të ndërsjellë e fitimprurëse për të dyja palët, dhe se rezultatet përgjithësisht të balancuara e pozitive të arritura nga ekipet ekonomike e tregtare të të dy vendeve janë lajme të mira për popujt e të dy vendeve dhe për botën. Të dyja palët duhet të ruajnë së bashku momentin pozitiv për të cilin kanë punuar shumë, theksoi Xi.
Ekipet ekonomike e tregtare zhvilluan konsultime në Korenë e Jugut më 13 maj për t’u përgatitur për takimin e dy presidentëve. Të udhëhequra nga mirëkuptimet e rëndësishme të përbashkëta të arritura nga të dy krerët e shtetit dhe duke ndjekur parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, të dyja palët zhvilluan shkëmbime të sinqerta, të thella e konstruktive mendimesh për trajtimin e shqetësimeve të njëra-tjetrës dhe zgjerimin e bashkëpunimit praktik.
Që atëherë, të dy vendet kanë mbajtur komunikim intensiv mbi detajet dhe kanë arritur konsensus pozitiv në disa fusha, tha zëdhënësi.
Rezultatet fillestare përfshijnë zbatimin e vazhdueshëm të rezultateve të konsultimeve të mëparshme dhe konsensusin pozitiv mbi marrëveshjet tarifore.
Të dyja vendet ranë dakord gjithashtu të krijojnë një këshill tregtar dhe një këshill investimesh. Këshilli tregtar do të trajtojë uljet e tarifave për produkte të caktuara, dhe të dyja palët ranë dakord në parim për të ulur tarifat për produktet me interes të ndërsjellë në shkallë të barabartë.
Të dyja palët do të punojnë për të zgjidhur ose për të avancuar ndjeshëm çështjet që lidhen me barrierat jotarifore dhe hyrjen në treg për produkte të caktuara bujqësore, shtoi zëdhënësi. Pala amerikane do të promovojë në mënyrë aktive zgjidhje për të trajtuar shqetësimet e Kinës në lidhje me masat automatike të ndalimit për bulmetin dhe produktet ujore, eksportin e disa veprave të artit “penjing” në ShBA dhe njohjen e një zone pa grip shpendësh në provincën Shandong të Kinës Lindore. Kina do të trajtojë në mënyrë aktive shqetësimet e ShBA-së në lidhje me regjistrimin e objekteve të mishit të viçit dhe eksportet e shpendëve nga disa shtete të SHBA-së.
Të dy vendet ranë dakord të promovojnë zgjerimin e tregtisë dypalëshe, duke përfshirë produktet bujqësore, nëpërmjet uljeve të ndërsjella të tarifave për një gamë të caktuar mallrash, sipas zëdhënësit.
Përveç kësaj, të dy vendet arritën marrëveshje për blerjet e avionëve kinezë nga ShBA-ja dhe garancitë e ShBA-së për furnizimin e Kinës me motorë e përbërës të avionëve, dhe ranë dakord të përparojnë bashkëpunimin në fushat përkatëse.
Ministria kineze e Tregtisëtheksoi se rezultatet pozitive tregojnë që, me respekt të ndërsjellë, barazi e përfitim të ndërsjellë, dhe përmes dialogut e bashkëpunimit, të dy vendet mund të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet. Konsultimet e hollësishme pasuese janë duke vazhduar.
Të udhëhequra nga konsensusi i arritur nga të dy presidentët, të dyja palët do të finalizojnë rezultatet sa më shpejt të jetë e mundur, duke siguruar zbatimin dhe duke sjellë siguri e qëndrueshmëri më të madhe në bashkëpunimin ekonomik e tregtar Kinë-SHBA dhe në ekonominë globale, shtoi ministria.
