Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – Mes protestave të studentëve për mbrojtjen e gjuhës shqipe, janë shtuar reagimet kundër politikanëve që tentojnë të përfitojnë politikisht nga pakënaqësitë qytetare dhe studentore.
Profesori Muhamer Pajaziti, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shprehur mbështetje për protestën e studentëve, por njëkohësisht ka kritikuar ashpër politikanët që, sipas tij, përpiqen ta shfrytëzojnë protestën për promovim personal dhe interesa politike.
“Mbështetje të plotë për protestën e studentëve në mbrojtje të gjuhës shqipe. Por një lutje e vogël: nëse shihni ndonjë politikan të mjerë që afrohet shumë pranë protestës për të bërë selfie, marketing apo për të kapur ndonjë votë rrugës… mos e lini të hyjë në turmë”, ka shkruar Pajaziti, përcjell Zhurnal.mk.
Ai ka shtuar se “ka plot kosha afër Vardarit, aty është vendi ideal për riciklim politik”, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Hidhni në kosha të plehrave apo bërllogut”.
