Miratohen ndryshimet për Komisionin për Verifikimin e Statusit të të Dhunuarve gjatë Luftës

Nga D. V.
597 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 maj Zhurnal.mk – Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të 24 korrikut 2024, që ka të bëjë me themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se njohja dhe verifikimi i statusit të këtyre personave mbetet proces me rëndësi të veçantë institucionale e shoqërore, “në funksion të drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes për të mbijetuarit”. Ai bëri të ditur se është propozuar ndryshimi i përbërjes së komisionit përmes emërtimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Ndërkaq, ministri në detyrë i MPFVLÇ-së, Andin Hoti, theksoi se ndryshimet janë të domosdoshme për funksionalizimin e plotë të komisionit dhe për vazhdimësinë e trajtimit institucional të rasteve. Ai sqaroi se propozim-vendimi bazohet në nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-172, që plotëson dhe ndryshon Ligjin 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e kategorive të mbrojtura me ligj.

Hoti tha se, meqë përfaqësuesit aktualë të deleguar nga Ministria e Drejtësisë dhe MPFVLÇ nuk janë më pjesë e këtij komisioni, është parë e nevojshme zëvendësimi i tyre me anëtarë të rinj, me qëllim të funksionalizimit të komisionit dhe vazhdimësisë në trajtimin institucional të rasteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër