Konsensus për Kodin Etik të deputetëve, lajmin e jep Gashi nga Zvicra

Nga D. V.
656 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se në Bern të Zvicrës, në kuadër të “Diskutimeve Malore për Etikën Parlamentare”, është arritur një rezultat i rëndësishëm politik dhe institucional – konsensus për miratimin e Kodit të ri Etik për deputetët.

Sipas tij, një nga vlerat e veçanta të programit ishte paneli me deputetët e Parlamentit Federal të Zvicrës, Priska Seiler Graf, Franziska Roth dhe Stefan Müller-Altermatt, të cilët ndanë përvojat zvicerane mbi etikën parlamentare, transparencën dhe funksionimin demokratik të institucioneve.

Gashi theksoi se ky shkëmbim përvojash ka ofruar perspektiva të rëndësishme për ndërtimin e standardeve të qëndrueshme parlamentare dhe për të kuptuar dallimet mes sistemeve.

Ai bëri të ditur se përmes diskutimeve të hapura dhe dialogut konstruktiv, është arritur dakordim që Kodi Etik të shërbejë si standard i ri për integritetin parlamentar, përgjegjësinë publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në Kuvend.

Në fund, Gashi ka falënderuar nënkryetarët, koordinatorët, deputetët pjesëmarrës dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e Zvicrës dhe National Democratic Institute, për mbështetjen dhe kontributin në këtë proces.

“Po kthehemi nga Zvicra me rezultat pozitiv, me konsensus dhe me një mesazh të përbashkët se kultura demokratike ndërtohet përmes dialogut dhe përgjegjësisë”, ka deklaruar Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër