Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi sot projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Zëvendësministrja e Brendshme, Elona Hoxha theksoi se kjo nismë ligjore është me rëndësi të veçantë për integritetin e sistemit penitenciar dhe besimin e qytetarëve të shtetit të së drejtës.
Sipas Hoxhës, projektligji synon konsolidimin e mbikëqyrjes së brendshme në të gjithë zinxhirin e ekzekutimit të vendimeve penale, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, Policinë e Burgjeve dhe Shërbimin e Provës, duke parandaluar kështu veprimtarinë e kundërligjshme, rritur transparencën dhe respektuar liritë dhe të drejta themelore të individëve. Zëvendësministrja tha se Agjencia do të ushtrojë veprimtari inspektuese, informative, gjurmuese dhe hetimore.
Ndër risitë kryesore të projektligjit, Hoxha tha se do të jenë “krijimi i një agjencie të specializuar për mbikëqyrjen e gjithë sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale me mandat të qartë ligjor; zgjerim i qartë i fushës së mbikëqyrjes; përfshirja e të burgosurve dhe personave nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës si subjekte të mbrojtura dhe të verifikueshme; mandat i plotë inspektues dhe hetimor; si dhe trajtimi i ankesave të qytetarëve”.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të deputetëve të opozitës se po i merren kompetencat prokurorisë, Hoxha tha se agjencia është një ndihmë e shtuar për prokurorët.
“Nuk mund të marrë kompetenca të prokurorisë. Doni të krijoni struktura për të dubluar institucionet. Nuk mund të krijoni një agjenci për të ushtruar ndjekje penale në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht se ju pretendoni se do të ushtrohet ndaj institucioneve të IEVP-së”, tha deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
“Veprimtaria hetimore është në diskrecion të prokurorit të asaj zone ku është hapur çështja, por punonjësit e agjencisë janë ndihëm e shtuar për prokurorin, jo se i marrim kompetencat prokurorit”, tha ajo.
Sa i përket shqetësimit të ngritur nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, për korrupsion dhe abuzime në burgje, Hoxha tha se “kjo nismë që ne paraqesim për shqyrtim synon të standardizojë trajtimin e ankesave dhe të ulë hapësirat për abuzim dhe korrupsion, duke forcuar etikën në shërbimin penitenciar”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ngriti shqetësime se kjo agjenci mund të kthehet në një mekanizëm me potencial të rrezikshëm, veçanërisht në aspektin e hetimit, mbledhjes dhe gjurmimit të informacionit. Sipas Bylykbashit, mënyra se si është parashikuar veprimtaria e agjencisë krijon hapësira për abuzim.
“Në fund fare, me dashje apo pa dashje po krijohet një agjenci që mund të ketë potencial të rrezikshëm, qëllimin e ka në pamje të parë të rëndësishëm, që është zbatimi i vendimeve penale, por nën hipotezën se mund të ndodhin vepra të tjera penale, krime të tjera, se nuk po flasim për pjesën administrative, por këtë që është me hetim, mbledhje informacioni dhe gjurmim, këtë e keni gjysmë paragrafi. Pra me këto informacione që mblidhni ju po krijoni një agjenci e cila ka potencialin, jo vetëm për të krijuar një pushtet të madh për një ministër, që do të rivalizojnë ministrin e Brendshëm, por do të krijojmë një agjenci e cila do të shkojë të cenojë të drejtat e njeriut, jo vetëm të atyre që janë në burg, por edhe tek të tjerët që janë jashtë burgut; jo për ata që janë shërbim prove, por edhe të tjerë që kjo agjencia mund të mendojë se për arsye parandalimi do të shkojë t’i hyjë dhe atyre në shtëpi, t’i hyjë dhe në biznes dhe t’u marrë dokumentacionin e nevojshëm”, tha ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Abi Gjilani, sqaroi se veprimtaria inteligjente dhe parandaluese e agjencisë do të zhvillohet sipas të njëjtave standarde që zbatohen nga Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit. Ai theksoi se mbikëqyrja do të kufizohet vetëm te personat të cilëve u është kufizuar liria dhe nuk do të shtrihet te persona të tretë. Sipas tij, garancitë ligjore janë të përcaktuara qartë dhe referojnë në legjislacionin ekzistues.
“Për sa i përket veprimtarisë inteligjente për të cilën është ana parandaluese e mbledhjes së të dhënave do të veprojë si agjencitë simotra që janë Forcat e Armatosura dhe Forcat e Policisë së Shtetit. Elementët që janë përdorur për këto agjenci, në fushat e veta të zbatimit, do të përdoren edhe për mbikëqyrjen e këtyre personave që ushtrojnë aktivitetin në pjesën ekzekutimit të vendimeve penale me kufizimin e lirisë. Me këtë vendim ti do të mbikëqyrësh këta persona të cilëve u është kufizuar liria. Nuk shtrihet tek persona të tretë dhe që nuk janë pjesë e këtij sistemi. Garancitë që jepen në ligj janë ato që referojnë tek ligjet e tjera”, sqaroi Gjilani.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja deklaroi se veprimtaria informative dhe përgjimi parandalues janë tashmë të rregulluara në mënyrë më strikte në ligj.
“Përgjimi parandalues dhe veprimtaria informative gjurmuese që bën sot SHKB bëhej sipas një procedurë standard që e miraton Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, mirëpo me ndryshime që iu bënë ligjit sot, Bylykbash, kjo veprimtari është e mirërregulluar dhe shumë strikte në ligj, të gjithë veprimtarinë që zhvillon kjo strukturë MD kontrollohet dhe mbikëqyret rreptësisht nga kryetari i Gjykatës së Posaçme apo në mungesë të tij nga nënkryetari i Gjykatës së Posaçme. Asnjë veprimtari informative gjurmuese, kjo është një veprimtari që e kontrollon gjykata. Sot Ministri i Drejtësisë nuk mund të urdhërojë asnjë mbledhje të dhënash me këtë metodë nëse nuk ka siguruar një vendim gjykate”, tha Manja.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja rekomandoi që drejtuesi i agjencisë së re të emërohet nga Kryeministri dhe jo nga Ministri i Drejtësisë.
Projektligji u miratua në parim, ndërsa shqyrtimi nën për ne do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

