Misioni faktmbledhës i Këshillit të Evropës: Liria e mediave ka rënie, gazetarët në Kosovë përballen me presion

Nga D. V.
350 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Misioni faktmbledhës i platformës së Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve shprehu shqetësim për sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Pas një vizite dyditore në Kosovë, ky mision vlerësoi se situata ndaj gazetarëve është përkeqësuar, ani pse, siç u tha, kishin shpresën e përmirësimit.

Në konferencë për media, kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë, Maria Cheresheva, tha se panë se liria e mediave në Kosovë ka një rënie.

“Ky mision që vjen katër vjet pas të parit, liria e mediave në Kosovë ka një rënie qe nga 2023 dhe ka zhvillime negative. Takuam shumë gazetarë, kishim takim me kryeministrin dhe anëtarët e ekipit të tij, Këshillin Gjyqësor , Këshillin Prokurorial ,transmetuesin publik, përfshirë edhe 24 pronarë të mediave që paraqesin diversitetin e mediave në Kosovë”, tha ajo.

Ricardo Gurtierrez nga Federata Evropiane e Gazetarëve u shpreh se akuzat ndaj gazetarëve se janë “argatë serbë” është ajo çka arsyetohet nga kryeministri. Ai e sheh si mungesë totale të vullnetit politik nga kryeministri Kurti për të përmirësuar situatën ndaj gazetarëve.

“ Si një përfundim i përgjithshëm i takimeve do të thosha se jemi të shqetësuar më shumë se para katër vjetësh, kur patëm misionin e parë. Atëherë kishim shpresë përmirësimi. Pas katër vjetësh nuk po shohim përmirësim, përkundrazi. Gjithmonë fillojmë me gazetarët dhe kishim takim intensiv me 50 gazetarë, duke përfshirë edhe gazetarët serbë. Takim me 24 redktorë dhe botues dhe ishte e mahnitshme të shohim se si të gjithë ata ankoheshim për klimën mediatike, thjesht për punën e tyre.

Akuzohen madje se janë argatë të Serbisë, tradhtarë dhe ka një klimë shumë negative dhe armiqësore ndaj tyre. Këtë e diskutuam me kryeministrin dhe një pjesë të ekipit. Në pikëpamjen time, më shqetësuese si konkluzë ishte fakti se nuk e ka parasysh fare këtë klimë armiqësore, përkundrazi ai u mundonte ta arsyetonte. Qartazi refuzoi ta dënonte, sepse i kërkuam ta dënonte çdo lloj ndikimi ndaj gazetarëve dhe kjo është një prej gjetjeve më shqetësuese të këtij takimi. E shoh si mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën”, tha ai.

Ndërsa, Jamie Wiseman nga Instituti Ndërkombëtarë i Shtypit tha se një gjë pozitive ishte se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i japin përparësi rasteve që kanë të bëjnë me gazetarë.

“Situata është krejt ndryshe. Ka pasur një trajektore shumë pozitive në gjithë vitet e pasluftës, por kjo është trazuar shumë pas tri viteve të fundit. Klima për sigurinë e gazetarëve në Kosovë është më e vrenjtur dhe nga autoritetet kemi parë një zotim. Këshilli Gjyqësor u jep përparësi rasteve të gazetarëve dhe këtë e pamë si ndikim pozitiv. Shohim një shtim masiv në raste të stigmatizimit, ofendimit dhe denigrimit të gazetarëve që me 2025 ka arritur majën e vet. Quhen “argatë të Serbisë” dhe këto janë trende shumë negative që po shohim. Kërkuam një zotim publik për t’i dhënë fund këtyre praktikave negative dhe për të dhënë shembull për politikanët dhe qytetarët, mirëpo nuk morëm nga kryeministri”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër