Jerevan, 4 maj, Zhurnal.mk – Turqia ka dërguar një zyrtar të lartë në Armeni për një vizitë zyrtare, për herë të parë pas pothuajse 20 vitesh, njoftoi sot një përfaqësues i Bashkimit Evropian.
Zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz mori pjesë në samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin armen, Jerevan.
“Është mjaft domethënëse që një përfaqësues turk të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar që zhvillohet në Armeni”, tha zyrtari i BE-së.
Politikani i fundit i rangut të lartë nga Turqia që vizitoi Armeninë ishte ish-presidenti Abdullah Gül në vitin 2008.
Normalisht, zëvendëskrerët e shteteve nuk marrin pjesë në samitet e Komunitetit Politik Evropian.
Në këtë rast, megjithatë, u bë një përjashtim “për shkak të kontekstit unik dhe momentit historik në marrëdhëniet Armeni–Turqi”, tha zyrtari.
Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Jerevanit janë shënuar për vite me radhë nga konflikte dhe mbeten të tensionuara për çështje si, masakrat e armenëve në Perandorinë Osmane më shumë se një shekull më parë, të cilat Turqia nuk i njeh si gjenocid.
Turqia e mbylli njëanshmërisht kufirin tokësor në vitin 1993, në shenjë solidariteti me Azerbajxhanin në konfliktin për rajonin malor të Nagorni-Karabahut.
Megjithatë, dy vendet rifilluan kontaktet diplomatike në fund të vitit 2021.
Së fundmi, media turke ka raportuar se kufiri tokësor mes tyre mund të rihapet në fillim të qershorit, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Ankaraja.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes dy republikave rivale në Kaukazin e Jugut, Armenisë dhe Azerbajxhanit, duket se po përmirësohen ndjeshëm.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev pritet të marrë pjesë në konferencën e Jerevanit në mënyrë virtuale, sipas zyrtarit të BE-së.
