Shkup, 2 korri, Zhurnal.mk – Policia ka filluar të zbardhë rastin skandaloz të dhunës mes të miturve në Aerodrom, i cili u filmua me telefona celularë nga një turmë të miturish. Në videot që dje i publikoi “Sloboden Pechat” shihet se si vajza maltretohet, poshtërohet, goditet me shpullë nga një bashkëmoshatare, detyrohet të gjunjëzohet, ndërsa një tjetër bashkëmoshatare e mban për flokët si “ndihmëse”, raporton SlobodenPecat, transmeton Zhurnal.
Nga MPB për “Sloboden Pechat”, sot në mëngjes, në pyetjen se çfarë masash dhe veprimesh janë ndërmarrë gjatë ditës së djeshme, u mor përgjigja se në stacion policor është zhvilluar bisedë me dy të miturat dhe me prindërit e tyre dhe se do të pasojnë kallëzime penale.
Dje, në orën 19:30, në SPB Shkup, nëna 31‑vjeçare e vajzës që u maltretua në park në Aerodrom ka raportuar se vajza e saj 12‑vjeçare është sulmuar fizikisht nga një 14‑vjeçare, e cila ka qenë së bashku me shoqen e saj dhe që më herët e kishin detyruar në dy raste të gjunjëzohej dhe të kërkonte falje.
Më pas, pasi ishte nisur të largohej, ajo është sulmuar fizikisht nga një tjetër e mitur, ndërsa i gjithë akti është filmuar me telefon nga disa të mitur të pranishëm, prej të cilëve njërin ajo e ka njohur. Po të njëjtën ditë, në stacion policor është zhvilluar bisedë zyrtare me dy të miturat, në prani të prindërve të tyre.
Është njoftuar prokurori publik për të mitur dhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale. Lidhur me rastin, po ndërmerren veprime për identifikimin e personave të tjerë të mitur të përfshirë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, pas së cilës do të paraqiten kallëzime penale për veprën penale “dhunë” sipas nenit 386 dhe për veprën penale “braktisje dhe maltretim i të miturit” sipas nenit 201 të Kodit Penal, thonë nga MPB për “Sloboden Pechat”.
